Kosovë, rishfaqen bisedat e përgjuara

Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje të martën prokurorisë që të fillojë hetimet lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci,me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish kryetarin e saj Hashim Thaçi dhe atë aktual, Kadri Veseli.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011.

Bisedat e përgjuara u rishfaqën sërish pas gati pesë vjetësh. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Atëbotë, qeveria që drejtohej nga ish kryeministri Hashim Thaci, kishte kërkuar ndriçimin e tyre, ndërsa kishte theksuar se "mekanizma të caktuar vendor dhe ndërkombëtarë, se përmes nxjerrjes së regjistrimeve synojnë të shtantazhojnë institucioneve shtetërore".

Zyrtarë të EULEX-it pa pranuar të mohojnë apo pohojnë prerazi vërtetësinë e bisedave thanë se “materialet e bisedave u bënë publike pasi i ishin dorëzuar Gjykatës dhe Këshillit të Mbrojtjes në një proces gjyqësor”.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tha atëbotë se regjistrimi i bisedave telefonike ishte bërë më urdhër gjykate në kuadër të hetimeve në ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit. EULEX-i kishte mohuar çdo mundësi që bisedat të kishin rrjedhur në publik nga ana e prokurorit të çështjes.

Pesë vjet më pas, publikimi i bisedave të përgjuara ka nxitur sërish reagime. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka theksuar se publikimi i bisedave "është tendencë për eliminime politike".

Organizata të shoqërisë civile kërkojnë ndriçimin e plotë të këtyre zhvillimeve, ndërsa në prokurorinë e shtetit thonë se janë "duke i analizuar ato".

Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje të martën prokurorisë që të merret “deri në fund” me rastin dhe sipas nënkryetarit të kësaj partie, Glauk Konjufca, “nuk ka shumë hapësirë për dyshime, sepse faktet janë aty, bashkë me zërin e tyre”.

“Kjo është edhe një arsye më shumë që nuk duhet pranuar marrëveshjet dhe vendimet e marra nga ta", tha zoti Konjufca, duke ju referuar edhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila pritet të debatohet të mërkurën në një tryezë politike e shkencore në Prishtinë.

Opozita pohon se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Qeveria kërkon që të vihen në pah argumentet dhe nëse nuk ka pasur gabime, marrëveshja të ratifikohet në parlament, meqë është edhe kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Tryeza e së mërkurës shënon edhe përpjekjen e parë zyrtare për arritjen e një pajtimi në shkallë të gjerë rreth kësaj marrëveshjeje e cila çoi në krizën më të thellë politike, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.