Kosovë, arrestohen tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi të shtunën mbrëma se janë arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Tre persona u vranë nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus. Shoferi dhe dy të rinj të lindur më 2003 dhe 2004 humbën jetën.

Lexoni edhe këtë Tre të vrarë në një incident me armë zjarri në komunën e Deçanit

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, tha se institucionet e rendit do të vazhdojnë edhe më tej hetimet për ndriçimin e plotë të incidentit.

Tre të arrestuarve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Kryeprokurori Kurmehaj nuk dha më shumë hollësi për shkak të siç tha “ndjeshmërisë së çështjes”.

Incidenti i 26 nëntorit nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve vendase e ndërkombëtare ndërsa qeveria e Kosovës ofroi një shpërblim prej 20 mijë eurosh, për këdo që jep informacion që do të mundësonte arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjes së tre personave.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti lajmin për arrestimin e të dyshuarve, duke theksuar se “ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshihet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili”.