Kryeministri irakian Nuri al-Maliki ka shpallur gjendje gatishmërie të lartë, në përgjigje të kërcënimeve për sulme terroriste, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përgatiten të mbyllin brenda pak ditësh misionin e tyre luftarak në Irak.
Zoti Maliki nxori dje një deklaratë ku u bën thirrje forcave të sigurisë dhe civilëve të tregohen tepër të kujdesshëm. Sipas paralajmërimit të kryeministrit, forcat e al-Kaidës dhe pjesëtarë të partisë së shpërbërë Baath të ish-udhëheqësit Sadam Husein po përgatisin sulme në të gjithë vendin.
Kryeministri irakian tha se komplotuesit kanë marrë ndihmë nga jashtë.
Ndërkaq, një grup që ka lidhje me al-Kaidën mori përgjegjësinë për një seri sulmesh që kanë lënë të vrarë të paktën 55 vetë.
Në një deklaratë të publikuar në një faqe militante interneti, grupi Shteti Islamik i Irakut thotë se gjatë muajit të Ramazanit kishte planifikuar sulme që kishin në shenjestër forcat irakiane të sigurisë.