Kryeministri italian refuzon sërish kërkesën për dorëheqje

  • Zëri Amerikës

Kryeministri italian refuzon sërish kërkesën për dorëheqje

Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka refuzuar kërkesat për dorëheqjen e tij, pas një deklarate vulgare për gratë.

Zoti Berluskoni u tha gazetarëve sot se të qenit udhëheqës i Italisë është një peshë prej të cilës do të ishte i gëzuar të lirohej. Por ai tha se nuk kishte alternativë tjetër veçse vazhdimit të qeverisjes deri në fundin e mandatit, në vitin 2013.

Ndërkohë që popullariteti i tij është ulur mjaft – sipas një ankete të fundit ai është në nivelin 24 përqind – zoti Berluskoni sugjeroi këtë javë që emri i partisë së tij të ndryshohet. Por, propozimi i bërë me shaka nga zoti Berluskoni për emrin e ri të partisë, që ishte një term i papërshtatshëm dhe vulgar, ngjalli reagime të menjëhershme dhe shkaktoi kërkesa për dorëheqjen e tij.

Ligjvënës të opozitës thanë se ky rast tregon përbuzjen që zoti Berluskoni ka për gratë. Ai vetë tha se kërkesat për dorëheqjen e tij ishin absurde dhe se ato do të krijonin paqendrueshmëri për qeverisjen.