Kryengritësit libianë tërhiqen me shpejtësi drejt lindjes

  • Zëri Amerikës

Kryengritësit libianë tërhiqen me shpejtësi drejt lindjes

Kryengritësit libianë po tërhiqen me shpejtësi drejt lindjes pasi forcat besnike të udhëheqësit Moamar Gadafi i detyruan ata sot të largohen nga një qytet port kyç i naftes.

Lajmet e agjencive perëndimore jashtë qytetit Ras Lanuf bëjnë të ditur se kryengritësit po tërhiqen si pasojë e luftimeve intensive me forcat pro-qeveritare, që po i godasin ata me predha dhe raketa.

Sipas lajmeve, një numër i madh kryengritësish ikën me kamionë, duke u tërhequr nga i gjithë teritori i fituar që prej përparimit drejt perëndimit gjatë fundit të javës.

Dje, trupat pro-Gadafit zbrapsën përparimin e kryengritësve, duke përdorur zjarr tankesh dhe artilerie si dhe duke i detyruar ata që të tërhiqen në mes të panikut. Luftëtarët e opozitës kërkuan ndihmën e sulmeve ajrore të forcave aleate, ndërsa tërhiqeshin.

Trupat besnike të Gadafit vazhduan të mbajnë të rrethuar sot qytetin e Misratas, baza e fundit e rëndësishme e kryengritësve në pjesën perëndimore të Libisë.

Vendet perëndimore filluan më 19 mars zbatimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi në bazë të rezolutës së OKB-së. Vende anëtare të NATO-s do të fillojnë sot të zbatojnë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend të Afrikës veriore.