Egjipti hap kufirin me Rripin e Gazës për të lejuar ndihmat

  • Zëri Amerikës

Egjipti hap kufirin me Rripin e Gazës për të lejuar ndihmat

Egjipti hapi përkohësisht kufirin me Rripin e Gazës për të lehuar ndihmat humanitare në rajon.

Presidenti Hosni Mubarak dha urdhërin për të hapur pikëkalimin në Rafah sot një ditë pasi komandot izraelite hynë në flotiljen e ndihmave për në Gaza në ujrat ndërkombëtar dhe vranë të paktën nëntë aktivistë pro-palestinezë.

Autokolona ndërkombëtare me gjashtë anije po përpiqej të çonte 10 mijë tonë furnizime në Rripin e Gazës duke mos përfillur bllokadën tre-vjeçare të Izraelit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje sot për një hetim të paanshëm dhe transparent të incidentit.

Pas disa orë negociatash emergjente, 15 anëtarët e këshillit ranë dakort për deklaratën e publikuar sot paradite që dënon veprimet që rezultuan në vdekjen e të paktën nëntë civilëve.

Izraelit ka filluar të dërgojë në atdhe disa nga gati 700 pasagjerët që ishin në bordin e anijeve.

Kryeministri i Turqisë, Tayyip Erdogan i bëri thirrje Izraelit të heqë sa më shpejt embargon “çnjerëzore” siç e quajti ai ndaj Gazës. Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet e Izraelit me Turqinë dhe me vende të tjera myslimane mund të kenë pasoja për politikat amerikane në rajon.

Në një fjalim të mbajtur në parlament, kryeministri turk Erdogan tha se akush nuk duhet të bëjë lojra me Turqinë dhe të provojë durimin e saj. Ai e quajti sulmin një masakër dhe shtoi se Izraeli duhet të paguajë një çmim.

"Izraeli duhet të heqë menjëherë embargon çnjerëzore ndaj Gazës dhe nuk duhet të pengojë ndihmat humanitare për popullin palestinez,” tha zoti Erdogan në fjalim përpara parlamentit.

"Të gjitha anijet e kapura duhet të lirohen bashkë me personelin e tyre. Askush nuk mund të pretendojë se aktivistët, deputetët europianë dhe djali i vogël Khan që ishte në anije me nënën e tij, kishin qëllime të mbrapshta përveç ndihmës humanitare,” tha zoti Erdogan.

Incidenti i ka çuar në nivelin më të ulët marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Izraelit dhe aleatit të tij mysliman, Turqisë.

Ankaraja e cila e mbështeti flotiljen me ndihma për palestinezët, ka reaguar me zemërim duke anuluar manovrat e përbashkëta ushtarake dhe duke tërhequr ambasadorin nga Izraeli ndërkohë që dje mijra njerëz protestuan në rrugët e qyteteve turke kundër qeverisë izraelite.

Zhvillimet e fundit mund të kenë pasoja për politikat amerikane në rajon.