Kurban Bajrami në Tiranë

Dhjetëra mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë të të gjitha moshave festuan sot Kurban Bajramin në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa qindra mijëra të tjerë festuan këtë ditë të rëndësishme të besimit të tyre në xhamitë e shumta anembanë vendit.

Udhëheqësit fetarë uruan besimtarët dhe u bënë thirrje për devotshmëri ndaj Zotit, nëpërmjet veprave të bamirësisë dhe mbrojtjes së të dobëtit dhe të varfërit. Kryetari i Komunitetit Musliman Skënder Bruçaj, uroi besimtarët dhe tha se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut, i cili i mëson besimtarët për vëllazëri dhe dashuri mes njerëzve.

Your browser doesn’t support HTML5

Kurban Bajrami në Tiranë

Besimtarëve muslimanë ua uroi festën edhe Presidenti Bujar Nishani. Në mesazhin për Kurban Bajramin presidenti Nishani theksoi se kjo festë e madhe i afron njerëzit me njëri-tjetrin, ushqimi ndahet me fqinjin dhe të varfërin, i ngopuri kujton të uriturin, i shëndetshmi ndihmon të sëmurin, i suksesshmi kujton më të dobëtin, dhe të gjithë së bashku kujtojnë Zotin.

Zoti Nishani theksoi se me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri e gjithë bota pa edhe një herë një nga vlerat kombëtare më të çmuara; tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm. Ai ftoi qytetarët që të lënë mënjanë sherret dhe mëritë, duke respektuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.

Shqipëria ka shënuar një histori shumë shekullore të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Në historinë e këtij populli të lashtë nuk janë shënuar asnjëherë konflikte me natyrë fetare, përkundrazi, shqiptarët kanë jetuar së bashku, duke respektuar besimin e njëri-tjetrit.