Tirana feston Kurban Bajramin

Mijëra besimtarëve muslimanë shqiptarë festuan sot Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme për besimin e tyre.

Ata u mblodhën qysh herët në mëngjes pranë xhamive duke uruar njëri tjetrin për festën, që u kujton të gjithëve mëshirën e Zotit, dhrumin, paqen dhe sakrifikimin.

Mijëra besimtarë të të gjitha moshave u falën sot në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, për të nderuar ditën kur porosia kryesore është të ndihmohen të sëmurët, të braktisurit të pafuqishmit dhe të pambrojturit.

Your browser doesn’t support HTML5

Bajrami ne Tirane

Udhëheqësit fetarë bënë thirrje në ditën e Kurban Bajramit, që çdo besimtar të punojë për paqen shoqërore, të shuajë mosmarrëveshjet dhe të kurojë plagët e vjetra, duke ndjekur shembullin e mëshirës së Zotit, dhe duke dashur dhe respektuar njëri-tjetrin.

Përfaqësuesit e komunitetit musliman shprehën urimet dhe shpresat e tyre me rastin e kësaj feste, që me veprime konkrete besimtarët t'i kthejnë ndarjet në vëllazërim, dhe të lënë mënjanë dyshimet dhe të bëhen besimplotë në mësimet e shenjta.

Edhe këtë vit besimtarët e shumtë u falën në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, ndërsa pak metra më tutje është duke u ndërtuar xhamia e Namasgjasë, punimet e të cilës u vonuan për shumë vite.

Liritë fetare janë zhvilluar mjaft vitet e fundit në Shqipëri pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste, kur u vranë e u burgosën mijëra klerikë dhe besimtarë.

Tashmë besimet fetare janë shtrirë gjerësisht në Shqipëri, duke përfshirë të madh e të vogël, e ndërkohë në të gjithë vendin mbizotëron një harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare shembullore.

Prej disa shekujsh këtu nuk është regjistuar asnjë konflikt sado i vogël i motivuar fetarisht, ndërsa besimtarët e feve të ndryshme ua urojnë reciprokisht festat njëri-tjetirt.