Policia thotë se ka zbuluar në fshatin Lazarat të Gjirokastrës armë dhe municione që dyshohet se u përdorën në sulmin e 24 qershorit , ku u vra pjesëtari i forcave speciale RENEA Ibrahim Basha dhe u plagosën dy të tjerë.
Policia i gjeti armët e tipit kallashnikov dhe një sasi municionesh, të hedhura në një pusetë uji, në afërsi të shkollës së mesme të Lazaratit.
Zona është afër vendit ku dyshohet se u sulmua me armë grupi i forcave speciale të policisë.
Gjashtë persona janë arrestuar lidhur me këtë sulm dhe pritet të dalin përpara Gjykatës për Krimet e Rënda.
Policia është vënë në kritika për mënyrën e organizimit të operacionit dhe për mosndalimin më parë të disa prej personave të kërkuar nga Lazarati që dyshohet se u riorganizuan dhe qëlluan me armë.