Siria, notë proteste Lidhjes Arabe pas një deklarate me kritika

Siria, notë proteste Lidhjes Arabe pas një deklarate me kritika

Siria ka hedhur poshtë një deklaratë të Lidhjes Arabe ku i kërkohet t’i japë fund dhunës vdekjeprurëse që ka përfshirë vendin, ndërkohë që qeveria siriane vazhdon shtypjen e protestave. Në një deklaratë të lëshuar më herët, pas një takimi urgjent në Kajro, Lidhja Arabe bëri thirrje për ndalimin e gjakderdhjes në Siri, “përpara se të bëhet shumë vonë”. Në deklaratë gjithashtu thuhej se Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Nabil Elaraby është i gatshëm të vizitojë Sirinë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën, por nuk tha se kur do të ndodhë vizita.

Siria u përgjigj me një notë proteste, duke akuzuar Lidhjen Arabe për shkeljen e protokollit dhe tha se Damasku e cilëson të pavërtetë deklaratën.

OKB-ja ka thënë se më shumë se 2 mijë e 200 vetë janë vrarë që nga marsi, kur protestuesit filluan të bëjnë thirrje për reforma dhe dorëheqjen e presidentit sirian Bashar al-Asad.


Presidenti turk Abdullah Gul tha sot se Ankaraja ka humbur besimin në fqinjin e saj jugor, Sirinë. Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anatolia citoi presidentint Gul të ketë thënë se situata ka arritur në një fazë, në të cilën çdo veprim i qeverisë siriane do të jetë “hap i vonuar”.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA tha sot se presidenti Assad ka autorizuar një ligj të ri të medias, i cili kërkon që qeveria të heqë kufizimet ndaj gazetarëve vendas dhe të lejojë organizatat e pavarura të lajmeve të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Siri.

Qeveria siriane ka ndaluar shumicën e gazetarëve të huaj të punojnë në vend, duke e bërë të vështirë verifikimin e raporteve mbi trazirat. Aktivistët e opozitës siriane kanë hedhur poshtë premtimet e mëparshme të presidentit Assad për reforma, duke i cilësuar ato të pakuptimta, ndërkohë që qeveria vazhdon shtypjen e protestave.