Hetime për vrasjen e së enjtes në Kumanovë

Xhemail Rexhepi i BDI, njohur si komandant Shqiponja, humbi jetën në një shkëmbim me armë zjarri në Kumanovë

Në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim u bëri thirrje organeve të rendit që të ndriçojnë rrethanat e incidentit të së enjtes në Kumanovë.

Të enjten në këtë qytet mbeti i vrarë një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe u plagosën dy shoqërues të tij. Xhemail Rexhepi i njohur si Komandant Shqiponja, është viktima e një zënke në mes dy grupeve që ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit.

Policia tha se incidenti ndodhi në një kafene.

Jozyrtarisht, mësohet se të dyja palët ishin anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe konkurrentë për drejtimin e degës së kësaj partie në Kumanovë. Personi i dyshuar për vrasjen, sipas medias lokale në Kumanovë, është Bajram Limani, i cili i është dorëzuar policisë. Ai është kryetar në detyrë i degës së BDI-së në Kumanovë.

Autoritetet policore kanë bërë të ditur se tetë persona ishin përfshirë në incident, ndërsa konfirmojnë vdekjen e njërit prej tyre; dy të plagosur janë shtruar në spital për kurim, katër janë ndaluar nga policia, ndërkohë që njëri është në kërkim dhe ndaj tij është shpallur flet-arrest.

Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi lidhur me motivet e ngjarjes.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate fton organet gjegjëse të shtetit që ta zbardhin deri në fund këtë rast. Partia, megjithatë nuk ka bërë komente të tjera.