Presidenti Macron propozon reforma të thella

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron thotë se Bashkimi Evropian është i çorientuar nga burokracia e tepërt dhe ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish për ta kthyer në rrugën e duhur. Në një fjalim të rëndësishëm në Versajë dje, zoti Macron bëri thirrje për një reformim radikal të qeverisjes së vendit, ku parashtroi idenë e shkurtimeve të thella në strukturat e qeverisjes. Reagimet pas fjalimit kanë qenë të përziera:

Emmanuel Macron foli para një sesioni të përbashkët të parlamentit në pallatin mbretëror të Luigjit të XIV në Francë. Sesionet e përbashkëta të parlamentit janë një fenomen i rrallë në Francë dhe kundërshtarët e zotit Macron e komentuan sesionin e djeshëm si një përpjekje e presidentit për të konsoliduar pushtetin. Ligjvënësit e ekstremit të majtë të partisë “Franca e Papërkulur” e bojkotuan sesionin.

“Ata na ftuan në Versajë për këtë eveniment të kushtueshëm, një nga këto kongreset madhështore, pompoze e pa vlerë. U thashë se nuk do të shkoja,” thotë një anëtar i Partisë Franca e Papërkulur.

Presidenti francez tha se synon reforma për të rikthyer dinjitetin e Francës.

“Besoj vërtetë se me zgjedhjet që kanë bërë votuesit na kanë kërkuar të marrim një rrugë krejt të re,” tha zoti Macron.

Udhëheqësi 39-vjeçar synon të reduktojë 30% numrin e ligjvënësve francezë.

Ai gjithashtu synon të thjeshtësojë procedurat burokratike në Bashkimin Evropian.

“Sot struktura evropiane është e dobësuar nga shtrirja e burokracisë, nga skepticizmi në rritje që është krijuar prej kësaj burokracie. Besoj thellësisht tek Evropa, por nuk mendoj se ky skepticizëm është i pajustifikueshëm. Prandaj kam sugjeruar të reflektojmë, të mos diktohemi nga axhendat, nga planet kohore dhe teknikalitetet e komplikuara,” tha zoti Macron.

Anëtarët e partisë së tij kishin lëvdata për fjalimin.

“Një fjalim shumë i fortë nga Presidenti i Republikës – për mua ishte një moment historik,” thotë deputetja Aurore Berge.

Por disa ligjvënës iu kundërvunë tonit të presidentit:

“Më shqetëson pak mënyra se si ai erdhi për të na thënë çfarë të bëjmë, si ta bëjmë dhe si të ndjekim zbatimin e ligjeve. Ne me këtë merremi,” thotë deputetja Catherine Morin-Desailly.

Rivalja e zotit Macron gjatë zgjedhjeve, Marine Le Pen, e cilësoi si të paqartë fjalimin e presidentit:

“Ai thotë se duhet të hapim dyert për më shumë refugjatë, por edhe nuk duhet të pranojmë aq shumë refugjatë. Thotë se duhet të heqim gjendjen e jashtëzakonshme, por pastaj thotë se duhet ta zgjasim gjendjen e jashtëzakonshme. Këtë paqartësi po bëhen shqetësuese”.

Fitorja e zotit Macron në zgjedhjet presidenciale si dhe e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare i kanë dhënë atij një mandat të fortë. Ai tha se nëse reformat që ka propozuar nuk miratohen në parlament këtë vit, ai do të zhvillojë referendum.