SHBA përshëndesin arritjen e marrëveshjes në Maqedoni

  • Isak Ramadani
Pas bisedimeve mes drejtuesve të katër partive më të mëdha u tejkalua ngërçi mes qeverisë dhe opozitës, me një marrëveshje.

Drejtuesit e katër partive më të mëdha në Maqedoni vendosën t’i hapin rrugën reformave që dalin nga marrëveshja e 2 qershorit, duke rënë dakord mbi emrat e propozuar nga opozita maqedonase, të cilët do të jenë në krye të dy ministrive në qeverinë e pritshme teknike. Bisedimet e gjata dhe të vështira, të ndërmjetësuara nga eksperti belg Peter Van Hautte, cuan në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis pushtetit dhe opozitës maqedonase që kishin të bënin me anëtarët e kësaj të fundit në qeverinë e përkohshme, por dhe me projekt-ligjin mbi ato që në opinionin publik njihen si ‘bomba’, e që janë përgjimet e bisedave telefonike, si dhe atë për mbrojtjen e kallëzuesve ose denoncuesve për raste të paligjshme që do të hetohen nga prokuroria speciale.Marrëveshja, përkatisisht vendimet e saj politike në formë projekt-ligjesh, pritet të diskutohen në Parlament, sipas të gjitha gjasave të hënën që vjen, dhe të miratohen.

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedoni, arrihet marrëveshja

Për ministër të ri të Punëve të Brendshme është propozuar Oliver Spasovski, aktualisht Sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), ndërsa nënkryetarja e kësaj partie opozitare, Frosina Remenski për ministre të Punës dhe çështjeve sociale. LSDM do të ketë edhe tre zëvendës-ministra: për Financa, Administratë publike dhe Bujqësi.

Drejtuesit politikë që morën pjesë në bisedimet që zgjatën nga mbrëmja e së enjtes deri pas mesnate, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u shprehën të kënaqur me atë që kishin arritur. Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër, tha se “opozita me kuadrot e saj të lartë, do të duhet të marrë përgjegjësinë për institucionet të cilat do t’i drejtojë dhe të mos fshihet, siç tha, pas atyre që i quan ekspertë e që janë anëtarë anonimë të LSDM-së”. Z. Gruevski theksoi rëndësinë e datës së zgjedhjeve, 24 prill, që nuk do të zhvendoset edhe përkundër përpjekjeve, sipas tij, të opozitës për shtyrjen e saj.

Ndërkaq, Zoran Zaev i LSDM-së e quajti këtë një fitore për të ardhmen e Maqedonisë. Ai tha se pret që “Gruevski në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës (marëveshja e 2 qershorit dhe aneksi i 15 korrikut) të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, brenda një afati të përshtatshëm”.

Drejtuesi i partisë shqiptare Bashkimi Demokrarik për Integrim, Ali Ahmeti tha se me dhënien fund ngërçit politik, Maqedoni po u kthehet integrimeve euro-atlantike. BDI-ja, përmes një komunikate që ka lëshuar mëngjesin e së premtes, nënvizon se “pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të paprekura, ndërsa do të ketë ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën deri te kriza e thellë politike në vend.”

Në takim, ndërkohë, nuk ishte pranishëm kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, por drejtuesi i grupit parlamentar të partisë, Imer Aliu, i cili tha se “PDSH-ja as nuk është dhe as nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të tillë”.

Sipas marrëveshjes më të re, ministrat dhe zëvendës-ministrat e dy partive rivale maqedonase do të kenë të drejtën e vetos dhe në rast të mosmarrëveshjeve mbi çështje që do të kenë të bëjnë me zgjedhjet e pritshme, do të jetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që do të marrë vendimin e fundit.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov e ka përshëndetur marrëveshjen, duke theksuar në një komunikatë, se rezultati i takimit paraqet një dëshmi se dialogu është mënyra e vetme me anë të të cilit mund të shmangen të gjitha sfidat dhe çështjet e hapura.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e institucioneve të vendit.
Komisioni Evropian ka inkurajuar partitë që të bëjnë gjithshka që është e nevojshme për të zbatuar detyrimet që dalin nga Marrëveshja. Zëdhënsja e Komisionit, Maja Kocijançiç ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme, në prag të shpalljes së raportit të progresit për Maqedoninë.

Edhe Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se me këtë është bërë një përparim i rëndësishëm. Ambasadori Bejli në rrjetin Tuiter ka shkruar se edhe më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes. Ambasadori amerikan vlerëson se marrëveshja e së premtes i kontribuon mirëqenies së vendit. Ai ka nënvizuar në veçanti nevojën e zbatimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur që të ndihmojnë procesin dhe vendin.