Martin Shulz viziton Tiranën

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz, nxiti sot autoritetet gjatë një vizite në Tiranë të kryejnë reformën e sistemit të drejtësisë, e cila sipas tij, është një parakusht për integrim në Bashkimin Europian dhe për zhvillimin ekonomik. Zoti Shulz i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryetarin e parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Your browser doesn’t support HTML5

Martin Shultz në Shqipëri

“Për të kryer një rrugë të qëndrueshme drejt Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të kryejë reforma dhe një nga reformat kryesore është ajo në fushën e drejtësisë. Një reformë e qëndrueshme në sistemin e drejtësisë është parakusht edhe për të tërhequr investimet e huaja, për të cilat vendi ka nevojë për të forcuar ekonominë” - tha zoti Shulz.

Ai shtoi se pas bisedimeve me kryetarin e parlamentit dhe aktorë të tjerë politikë shqiptarë ishte optimist se reforma do të vazhdojë me mirëkuptim.

Presidenti i Parlamentit Europian Martin Shulz tha se ishte herët që negociatat e BE-së me Shqipërinë për anëtarësim të mund të hapeshin gjysmën e dytë të këtij viti, por theksoi se pjesa më e rëndësishme qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e reformave.

Ai tha se shpesh debatet e brendshme politike të Shqipërisë përcillen pa qenë nevoja në Bruksel, por ato janë probleme që duhet të mbeten dhe të zgjidhen në Tiranë. Zoti Shulz vlerësoi rolin e Shqipërisë në dialogun dhe bashkëpunimin rajonal.

Shqipëria ka ngritur një Këshill Kombëtar për Integrimit Europian ku japin ndihmesën e tyre pozita dhe opozita në përmbushjen e 5 detyrave kyçe të Komisionit Europian. Pas reformës territoriale-administrative dhe vënies së saj në provë me zgjedhjet vendore reforma në sistemin e Drejtësisë pritet të kryhet deri në fund të vjeshtës.