McCain, thirrje Trumpit të kërkojë falje

Senatori amerikan John McCain, veteran dhe ish i burgosur lufte, i bëri thirrje kandidatit republikan për president, Donald Trump të kërkojë falje se ka përçmuar vuajtjet e ushtarëve amerikanë të kapur rob gjatë luftës.

Zoti McCain, i cili kaloi më shumë se pesë vjet si i burgosur gjatë Luftës së Vietnamit, komentoi në televizionin amerikan të hënën, dy ditë pasi zoti Trump u tall publikisht me të kaluarën e tij ushtarake. Zoti Trump kishte thënë për zotin McCain se nuk mund të quhej hero lufte. “Ai është hero lufte [vetëm] për shkak se u kap rob. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen (nga armiku)…” u shpreh zoti Trump.

Senatori McCain i tha televizionit MSNBC se ai nuk po thotë se zoti Trump duhet t’i kërkojë falje atij personalisht. Por ai la të kuptohet se miliarderi Trump duhet t’u thotë publikisht veteranëve amerikanë dhe familjeve të tyre se i vjen keq për komentet e bëra.

Nga ana e tij, zoti Trump nuk ka shprehur keqardhje publike. Ai tha të hënën se komentet e tij janë marrë jashtë kontekstit nga rivalët politikë.