Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm thotë se Andrew McCabe keqinformoi hetuesit

Një raport i Departamentit të Drejtësisë akuzon ish-nëndrejtorin e FBI-së Andrew McCabe për keqinformim të hetuesve. Sipas raportit, Andrew McCabe keqinformoi hetuesit dhe shefin e tij për rolin që pati në nxjerrjen e informacionit në lidhje me Hillary Clinton-in vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Po sipas raportit, ai akuzohet se autorizoi nxjerrjen e informacionit për “përfitime personale”.

Raporti i zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë thekson se McCabe i keqinformoi hetuesit rreth rolit që ka luajtur në nxjerrjen e informacionit në lidhje me kandidaten presidenciale Hillary Clinton vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2016.

Raporti që u është dërguar ligjvënësve dhe u bë publik të premten, pohon se McCabe autorizoi zyrtarë të FBI-së të flisnin me një gazetar të gazetës Wall Street Journal rreth një hetimi mbi Fondacionin Clinton, duke shkelur kështu rregullat e agjencisë and pastaj ai keqinformoi zyrtarët e FBI-së kur u pyet për veprimet e tij.

Andrew McCabe i mohoi akuzat nga raporti në një deklaratë të hollësishme. Ai tha se kur besoi se përgjigjet e tij ndaj inspektorit të përgjithshëm u keqkuptuan, ai u kthye dhe u përpoq t’i korrigjonte ato.

Deklarata e McCabe vuri në dukje se si nëndrejtor, ai kishte autoritet të plotë për të autorizuar ndarjen e informacionit me median dhe tha se i lejoi vartësit ta bënin në rastin në fjalë për të korrigjuar një kronikë të rreme, sipas së cilës ai ishte përpjekur të ndalonte një hetim të FBI-së mbi Fondacionin Clinton.

Biseda “u bë për të mbrojtur reputacionin institucional të FBI-së si një agjenci hetuese jo-politike dhe profesionale dhe për këtë arsye ishte krejtësisht brenda klauzolës speciale që i lejon FBI-së të nxjerrë publikisht materiale sensitive, kur është në interesin e publikut”, thuhet në deklaratën e ish-zëvendës drejtorit të FBI-së.

McCabe ka lidhje të afërta me ish-drejtorin e FBI-së James Comey, i cili u shkarkua nga presidenti Donald Trump në maj të vitit 2017.

Të premten, presidenti Trump shkruajti në Twitter se “McCabe ishte plotësisht nën kontrollin e Comey-t” dhe se hetimi mbi ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe nëse ka pasur bashkëpunim midis fushatës Trump dhe Rusisë, “u krijua nga vatër hajdutësh dhe njerëzish të ulët”.

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions shkarkoi ish-nëndrejtorin McCabe muajin e kaluar me rekomandimin e zyrtarëve të FBI-së, të cilët ishin në dijeni të gjetjeve të inspektorit të përgjithshëm. McCabe u shkarkua nga detyra vetëm dy ditë para se ai të dilte në pension, gjë që ka të ngjarë t’i mohojë atij një pjesë të pensionit qeveritar.