Të premten në mesnatë përfundon afati i dorëzimit të emrave të kandidatëve për ligjvënës në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor në Maqedoni. Shumica e partive i kanë bërë publike listat. Komuniteti ndërkombëtar pret një proces të drejtë dhe të besueshëm të këtyre zgjedhjeve.
Your browser doesn’t support HTML5
Maqedoni, përgatitje për zgjedhjet
Para skadimit të afatit në mesnatë për paraqitjen e listave me emrat e kandidatëve për ligjvënës, partitë shqiptare mbetën në qëndrimet e njohura: partitë e konsideruara më të mëdha shkojnë të vetme në zgjedhjet e 11 dhjetorit, por as partitë e reja nuk arritën të formojnë një koalicion më të gjerë parazgjedhor.
Shqiptarët, si zakonisht do të fitojnë numrin më të madh të deputetëve në zonën e gjashtë zgjedhore, që përfshin Tetovën e Gostivarin, një pjesë të Dibrës së madhe dhe të Kërçovës. Secila nga gjashtë zonat dërgon nga 20 deputetë në parlamentin republikan. Të gjithë drejtuesit e partive shqiptare garojnë në zonën e 6-të, ku paraqiten si bartës të listave, siç thuhet këtu, përkarësisht votuesit rrethojnë emrin e kandidatit numër një të partisë në listën zgjedhore. Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Zijadin Sela i Lëvizjes për Reforma në koalicion me Rilindjen Demokratike Kombëtare dhe Unitetin do të garojnë këtu, ndërsa Lidhja Social Demokrate me Petre Shilegov. Numër 2 në listën e LSDM-së në po këtë zonë është Gjylimsere Kasapi, një aktiviste për të drejat e grave dhe pedagoge universiteti. Opozita maqedonase ka dy kandidatë shqiptarë me gjasa serioze për të fituar postet e ligjvënësve. Partia po premton sidomos një përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe nëse arrin të fitojë dhe formojë qeverinë e re. Kjo ndërkaq ka shkaktuar nervozë tek partitë shqiptare, me që mendohet se disa mijë vota shqiptare mund të shkoëjnë për LSDM-në.
Në zonën zgjedhore numër 1 që përfshin një pjesë të Shkupit në krye të listave do të jenë Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski, ish-kandidat për president nga Lidhja Social Demokrate, Artan Grubi i BDI-së, Idriz Orana i PDSH-së, Zeqirja Ibrahimi i Lëvizjes Besa, Sulfi Adili i Unitetit. Në zonën numër dy që përfshin poashtu pjesën tjetër të Shkupit dhe Kumanovën garojnë Ejup Halimi i BDI-së, Orhan Ibrahimi i PDSH-së, Afrim Gashi i Lëvizjes Besa.
Në përbërjen e fundit parlamentare shqiptarët kishin gjithsej 27 deputetë, ndërsa analistët mendojnë se për shkak të rrethanave të reja, shpërndarjes së votave në më shumë faktorë dhe pakënaqësisë së shtuar, numri i ligjvënësve shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë do të jetë për 3 a 4 më i vogël.