Medvedev: Konsensusi për sanksione ndaj Iranit i vështirë

  • Zëri Amerikës

Presidenti rus Dimitri Medvedev tha se propozimet e ligjvënësve amerikanë për të vendosur sanksione kundër sektorit energjetik të Iranit nuk ka të ngjarë të tërheqin mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC, presidenti Medvedev tha se nuk beson që do të ketë konsensus ndërkombëtar në favor të sanksioneve kundër Iranit. Intervista u regjistrua të premten dhe u transmetua sot.

Rusia ka shumë investime në sektorin energjetik të Iranit, por zoti Medvedev është solidarizuar në përpjekjet e kryesuara nga Uashingtoni për vendosjen e sanksioneve më të ashpra kundër Iranit në përgjigje të refuzimit nga ana e Teheranit për të përmbushur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë punën sekrete në reaktorë bërthamorë.

Uashingtoni dhe aleatët e tij e akuzojnë Iranin se përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, akuzë që Teherani e mohon.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se fuqitë botërore duhet të marrin së shpejti vendim lidhur me vendosjen e serisë së katërt të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, duke thënë, siç u shpreh ajo” se ka ardhur koha”.