Merkel bën thirrje për një integrim më të madh të vendeve të Eurozonës

  • Zëri Amerikës

Merkel bën thirrje për një integrim më të madh të vendeve të Eurozonës

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se problemet financiare të Eurozonës mund të jenë kriza më e madhe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Sot zonja Merkel bëri thirrje për një integrim më të madh të vendeve të Eurozonës për të përballuar këtë sfidë. Ajo theksoi nevojën e lidhjeve më të ngushta mes vendeve evropiane dhe rishikimin e marrëveshjeve të BE-së për kapërcimin e kësaj sfide.

Kancelarja gjermane foli para anëtarëve të partisë së saj. Ajo tha se Europa e bashkuar mund të dështojë, në se Eurozona prej 17 vendesh që përdorin të njëjtën monedhë është e përçarë lidhur me problemet e borxhit të Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera.

Gjermania është ekonomia më e fuqishme evropiane dhe kancelarja Merkel i bëri komentet ndërsa udhëheqësit e rinj të Italisë dhe Greqisë përpiqen të zgjidhin çështjen e borxhit masiv dhe të ngadalësimit ekonomik që mund të dëmtojë ekonominë e Eurozonës.

Ndërkohë, qeveria italiane e arriti synimin e saj sot, duke siguruar 3 miliardë euro nga tregjet, ndonëse me një kosto më të lartë. Megjithëse interesat ishin më të lartat që nga viti 1997, reagimi i blerësve ishte i mirë, pas zgjedhjes së kryeministrit Italian. Zoti Mario Monti pritet ta bëjë të njohur sot kabinetit e tij qeveritar.