FMN jep në Tiranë vlerësimet e fundit për ecurinë e ekonomisë

FMN e nxiti sërish Shqipërinë që të përqëndrohet për të çuar përpara reformat në disa nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, të cilat nuk janë ende në nivelin e pritur.

Drejtuesja e re e misionit të FMN për Shqipërinë, Anitha Tuladhar, deklaroi në Tiranë se zbatimi i shpejtë i reformave ka rëndësi themelore për të siguruar një rritje më të fortë.

“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po forcohet, por duhet që kjo rimëkëmbje të jetë më e madhe, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke rritur bazën e kridetimit”, - tha zonja Tuladhar.

FMN dhe Shqipëria po ndjekin një marrëveshje 3-vjeçare bashkëpunim për konsolidim fiskal, fuqizim të financave publike, reforma strukturore fiskale, rregullimin e sistemit energjitik.

Pas 2 vjet e gjysmë, një përmirësim i mirë është bërë në sektorin energjitik, ndërsa në fusha të tjera janë hedhur hapa të rëndësishëm por, sipas saj, disa reforma kanë mbetur prapa.

Your browser doesn’t support HTML5

FMN jep në Tiranë vlerësimet e fundit për ecurinë e ekonomisë

“Këtë vit ne presim një rritje 3.4 për qind të ekonomisë shqiptare, kryesisht e bazuar në forcimin e sektorit energjitik dhe administrimit më të mirë të financave” - tha zonja Tuladhar.

Rritja ekonomike nuk është mbështetur sa duhet nga kreditimi bankar, sipas saj, Po ashtu është e nevojshme të ecin reforma juridike dhe ajo në hipoteka.

Zonja Tuladhar i bëri këto komente në forumin e 4 financiar mes Bankës së Shqipërisë dhe FMN.

Guvernatori Gent Sejko tha se Shqipëria po ndjek me besnikëri politikat e përcaktuara nga FMN-ja dhe se ekonomia shqiptare po ringrihet për vitet në vijim.

“Shqipëria është në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Kriza financiare botërore e preku ekonominë dhe sistemin financiar, por Shqipëria nuk u zhyt në recesion pas goditjeve të krizës. Ajo ka një qëndrueshmëri makro-ekonomike. Masat e marra për të nxitur ekonominë që të çlirojë kapitalet po sjellin rritjen ekonomike dhe presim të ndikojë edhe tek rritja e kreditimit”, - tha guvernatori Sejko.

Ai kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë përfaqësuesit e bankave në Shqipëripër të pakësuar kreditë me probleme dhe për të shtuar kreditimin, i cili rritet me hapa të lehtë dhe mbetet një nga sfidat kryesore.

“Më në fund Shqipëria e la pas krizën ekonomike, por nuk harron kurrë rreziqet dhe sfidat që ka përpara. - tha ministri i financave, Arben Ahmetaj.

Qeveria po punon, sipas tij, për të shënuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, së bashku me konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

FMN vlerësoi se rritja ekonomike në rajon po fuqizohet, megjithë ndikimin e vështirësive nga eurozona.

Parashikimet e Fondit për rritjen afatmesme ekonomike të rajonit janë më poshtë se sa u shënuan përpara krizës.

Shqipëria u rezistoi mirë presioneve të krizës, pohoi FMN, dhe ishte në mesin e të paktave vende që shënuan rritje pozitive gjatë krizës.