Mosmarrëveshje për Eurobondet evropiane

  • Zëri Amerikës

Mosmarrëveshje për Eurobondet evropiane

Qeveria gjermane dhe Komisioni Evropian duket se kanë mosmarrëveshje mbi alternativat për një zgjidhje afatgjatë të krizës së borxhit. Ndërkohë, që Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso pritet të paraqesë një plan për të ashtuquajtuarat “bonot e stabilitietit” të emetuara në mënyrë të përbashkët nga eurozona, Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk i sheh këto bono si zgjidhje afatgjatë e krizës së borxhit.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë mbi bonot e përbashkëta evropiane - ose siç quhen ndryshe eurobonot – në një takim të nivelit të lartë më datë 9 dhjetor. Për çdo masë që do të detyronte shtetet anëtare të shpëtonin nga krizat financiare partnerët e tyre përtej hapave të vullnetshëm, do të nevojiteshin ndryshime në traktatin e Bashkimit Evropian.

Por, Kancelarja Angela Merkel nuk i sheh eurobonot si rruga e duhur drejt një zgjidhjeje afatgjatë të krizës së borxhit, dhe ajo u shpreh se kjo nuk është koha e përshtatshme për të diskututar mbi bonot e përbashkëta evropiane.

“Unë mendoj se është e gabuar që Komisioni propozon eurobonot si zgjidhje të krizës. Ky propozim jep përshtypjen se përballimi i përbashkët i borxheve do të zgjidhë problemet që ne kemi me strukturën e Bashkimit Monetar Evropian. Dhe kjo nuk është e saktë.”

Komisioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian e konsideron emetimin e eurobonove, së bashku me zbatimin e rregullave buxhetore më të ashpra, si zgjidhja më e mirë për krizën financiare evropiane. Presidenti i Komisionit, Hoze Manuel Barroso tha sot se shtetet anëtare duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të bërë që politikat e tyre buxhetore të përputhen dhe të jenë në gjendje të evtiojnë situatat gjatë të cilave një vend rrezikon edhe të tjerët duke mos përmbushur detyrimet e tyre financiare.

Por Gjermania, vendi me ekonominë më të madhe në Evropë, është skeptike, veçanërisht në lidhje me Greqinë.

“Problemi me Greqinë nuk është ende i qartë sepse ne nuk janë plotësuar parakushtet për pagesën e këstit tjetër të paketës.”

Kancelarja Merkel nguli këmbë se Greqia do të marrë fondet e rradhës, vetëm nëse ligjvënësit grekë të të gjitha forcave politike zotohen me shkrim të mbështesin masa shtrënguese të rrepta për marrjen e një tjetër pakete të veçantë ndihmash ndërkombëtare.

Pa marrjen e këtij kësti, prej 8 miliardë eurove, të ndihmës evropiane, Greqia nuk do të jetë në gjendje të paguajë rrogat shtetërore dhe pensionet, para Krishtlindjes.