Protestuesit në Mianmar dolën sërish në rrugë të hënën duke demonstruar kundër regjimit ushtarak të vendit, përkundër paralajmërimeve nga forcat e sigurisë se do të përdorin forcën vdekjeprurëse.
Një grup i quajtur Gen Z së bashku me Lëvizjen e Mosbindjes Qytetare, lëshuan një thirrje të dielën për një grevë të përgjithshme, duke nxitur qytetarët që të bashkohen për një "revolucion pranveror" në "pesë dyshe”, një referencë për shifrat në datën e së hënës, 22.02. 2021 dhe një ‘kujtim” i kryengritjes pro-demokracisë 8888 në Mianmar më 8 gusht 1988.
Një mesazh i transmetuar të dielën në MRTV-në shtetërore, paralajmëronte protestuesit se "tani po nxisin njerëzit, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë emocionalë, në një rrugë përballjeje ku do të pësojnë humbjen e jetës".
Raportet nga Yangoni thonë se forcat e sigurisë kanë vendosur bllokime rrugësh pranë disa ambasadave të huaja, të cilat janë bërë pika grumbullimi për protestuesit që bëjnë thirrje për ndërhyrje nga jashtë.
Tom Andrews, raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Mianmarin, shkroi të dielën vonë se ai ishte "thellësisht i shqetësuar" për paralajmërimin e juntës, duke shtuar një paralajmërim të tijin se “ndryshe nga viti 1988, veprimet nga forcat e sigurisë po regjistrohen dhe ju do të mbaheni përgjegjës”.
Deeply concerned w an ominous public warning by the junta that protesters are "inciting the people" to "a confrontation path where they will suffer the loss of life". Warning to the junta: Unlike 1988, actions by security forces are being recorded & you will be held accountable. pic.twitter.com/1VGa3lWvqS
— UN Special Rapporteur Tom Andrews (@RapporteurUn) February 22, 2021
Tre veta janë vrarë tashmë përgjatë protestave të përditshme gjithandej Mianmarit që nga përmbysja e qeverisë civile më 1 shkurt, përfshirë dy persona të vrarë në Mandalay të shtunën - një prej tyre një adoleshent - kur policia dhe forcat e sigurisë përdorën armë zjarri, plumba gome, gaz lotsjellës e topa uji kundër demonstruesve.
Ndërsa 20 njerëz u plagosën në dhunën e së shtunës, sipas kreut të një shërbimi vullnetar të emergjencave. Grupi aktivist i Ndihmës për të Burgosurit Politikë thotë se 640 njerëz janë arrestuar, akuzuar ose dënuar.
Një nga të arrestuarit është aktori Lu Min, i cili u burgos në shtëpinë e tij në Yangon, sipas një postimi në facebook të gruas së tij. Lu Min mori pjesë në protestat në Yangon dhe ishte një nga gjashtë të famshmit që ushtria tha se ishin në kërkim. Ushtria akuzoi zotin Lu Min për inkurajimin e nëpunësve civilë për t'u bashkuar në protestë. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim me dy vjet heqje lirie.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi në twitter të dielën se Shtetet e Bashkuara "do të vazhdojnë të marrin masa të forta kundër atyre që ushtrojnë dhunë kundër popullit të Burmës ndërsa ai kërkon rivendosjen e qeverisë së tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne jemi me qytetarët e Burmës", tha ai duke iu referuar emrit të mëparshëm të Mianmarit.
The United States will continue to take firm action against those who perpetrate violence against the people of Burma as they demand the restoration of their democratically elected government. We stand with the people of Burma.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) February 22, 2021
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi dhunën vdekjeprurëse. "Përdorimi i forcës vdekjeprurëse, frikësimit dhe keqtrajtimit kundër demonstruesve paqësorë është e papranueshme," tha ai të shtunën vonë.
I condemn the use of deadly violence in Myanmar.The use of lethal force, intimidation & harassment against peaceful demonstrators is unacceptable.Everyone has a right to peaceful assembly. I call on all parties to respect election results and return to civilian rule.
— António Guterres (@antonioguterres) February 21, 2021
Britania e Madhe tha se do të shqyrtojë veprime të mëtejme kundër atyre që përfshihen në dhunë kundër protestuesve, ndërsa ministria e Jashtme francezë e cilësoi dhunën “të papranueshme”.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje “ushtrisë dhe të gjitha forcave të sigurisë në Mianmart që t’i japin menjëherë fund dhunës kundër civilëve”.
I strongly condemn the violence against peaceful civilian protestors by the military. I urge the military and all security forces in #Myanmar to immediately stop violence against civilians. We will discuss on Monday #FAC the latest events in Myanmar to take appropriate decisions
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) February 20, 2021
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për sanksione të mundshme.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën vonë, ministria e Jashtme e Mianmarit i quajti mesazhet "ndërhyrje flagrante" në punët e brendshme.
"Pavarësisht nga përballja me demonstratat e paligjshme, nxitjet e trazirave dhe dhunës, autoritetet po ushtrojnë përmbajtje maksimale përmes përdorimit minimal të forcës për të trajtuar trazirat”, thuhet në deklaratë.
Por forcat e sigurisë janë shfaqur gjithnjë e më agresive kundër protestuesve, të cilët janë përplasur me ta që kur ushtria arrestoi udhëheqësen de facto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë civile tre javë më parë.
Ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një vjeçare, nën pretendimet për mashtrime të gjera në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit të kaluar, të cilat u fituan bindshëm nga Lidhja Kombëtare për Demokraci e udhëheqëses Aung San Suu Kyi. Pretendimet e ushtrisë janë hedhur poshtë nga komisioni elektoral.
Gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, i cili udhëhoqi grushtin e shtetit, premtoi javën e kaluar në televizion se zgjedhjet e reja do të mbaheshin për të vendosur atë që ai e quajti “një demokraci të vërtetë dhe të disiplinuar”, por nuk dha hollësi se kur do të zhvilloheshin ato.