Rusia bashkohet me vendet e tjera, për të dënuar dhunën në Nagorno-Karabak

Rusia u bashkua me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, duke kërkuar vetëpërmbajtje nga Azerbajxhani dhe Armenia ndërsa luftimet e ashpra të fundjavës midis dy fqinjëve rivalë për rajonin separatist të Nagorno-Karabakut rrezikuan ta zgjeronin konfliktin në rajonin e Kaukazeve Jugore.

"U bëjmë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të tregojnë përmbajtje maksimale, të refuzojnë metodat ushtarake dhe të refuzojnë çdo hap që mund të provokojë një përshkallëzim të padëshiruar të situatës që është de facto tashmë një konflikt ushtarak," tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në komente për gazetarët në Moskë të hënën.

Zoti Peskov shtoi se Presidenti Vladimir Putin kishte diskutuar për krizën me Kryeministrin armen Nikoll Pashinyan gjatë fundjavës dhe do të bënte të njëjtën gjë me udhëheqësin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev "nëse është e nevojshme".

Duke nënvizuar ekuilibrin delikat që duhet të ruajë Rusia, Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov theksoi nevojën për një armëpushim në telefonata me homologët nga Armenia, Azerbajxhani, si dhe Turqia - e cila mbështet Bakunë dhe ka qenë në disa raste partnere e Moskës në fushatën ushtarake në Siri.

Edhe Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të dielën që t’u jepej fund luftimeve. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus nxorri një deklaratë ku thuhej se Shtetet e Bashkuara, “dënojnë me forcë këtë shkallëzim dhune”.

Në deklaratë nxiteshin palët të punonin me bashkëkryetarët e Grupit të Minskut, për “t’iu rikthyer negociatave thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur”.

Grupi i Minskut është i ngarkuar me gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të Nagorno-Karabakut.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres i dënoi luftimet dhe shprehu keqardhjen për “humbjen e jetës dhe viktimat civile”, tha zëdhënësja e tij përmes një deklarate.

Zoti Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të konfliktit “për ndaljen menjëherë të luftimeve, zbutjen e tensioneve dhe t’u rikthehen negociatave pa vonesë” e pa kushte.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë për rolin e bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së, një rol që ai tha se është shumë i rëndësishëm.

Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut-OSBE (Igor Popov i Federatës Ruse, Stephane Visconti e Francës, dhe Andrew Schofer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës) shprehën të dielën shqetësimin e tyre të thellë rreth “veprimeve ushtarake në shkallë të gjerë përgjatë vijës së kontaktit në zonënë e konfliktit në Nagorno-Karabak”, përmes një deklarate të përbashkët të dielën.

“Dënojmë fuqishëm përdorimin e forcës dhe na vjen keq për humbjen e jetëve, përfshi popullsinë civile”, shkruanin ata. Ata u bënë thirrje palëve që të ndërpresin menjëherë luftimet dhe të rifillojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme të konfliktit.

Ata po u bëjnë thirrje palëve në konflikt që të marrin “masat e nevojshme për të stabilizuar situatën në terren”, duke shtuar se “nuk ka asnjë alternativë tjetër për një zgjidhje paqësore të negociuar të konfliktit”.

Të dyja palët shkëmbyen të hënën akuza për përdorimin e artilerisë së rëndë. Rajoni separatist njoftoi se të paktën 15 ushtarë të tjerë u vranë, duke e çuar në 30 numrin e ushtarëve të tij të vrarë që nga e diela kur tha se Azerbaixhani ndërmori një sulm nga ajri dhe me artileri.

Armenia deklaroi gjendje lufte dhe mobilizim të përgjithshëm luftarak pas përleshjeve me Azerbajxhanin mbi enklavën Nagorno-Karabak të dielën.

"Bëhuni gati për të mbrojtur atdheun tonë të shenjtë”, tha në Facebook Kryeministri Nikol Pashinyan.

Nagorno-Karabaku ka një shumicë popullsie armene, por ndodhet tërësisht brenda Azerbajxhanit.

Armenia akuzoi Azerbajxhanin fqinj për sulme ndaj vendbanimeve civile në rajonin e diskutueshëm.

“Përgjigja jonë do të jetë e njëjtë dhe udhëheqja ushtarako-politike e Azerbajxhanit mban përgjegjësi të plotë për situatën”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes së Armenisë.

Ministria tha gjithashtu se forcat e saj kishin rrëzuar dy helikopterë luftarakë të Azerbajxhanit dhe tre dronë, pasi forcat e atij vendi filluan të bombardonin enklavën e shkëputur, përfshi edhe kryeqytetin e saj Stepanakert.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha nga ana tjetër se kishte filluar një operacion ushtarak përgjatë “vijës së kontaktit” mes dy vendeve “për të shtypur veprimtarinë luftarake të Armenisë dhe për të garantuar sigurinë e popullsisë”.

Ministria konfirmoi rrëzimin e vetëm një helikopteri azerbajxhanas dhe tha se ekuipazhi kishte shpëtuar.

Përpjekjet e paqes në konfliktin e Nagorno-Karabakut, të ndërmjetësuara nga “Grupi i Minskut”, dështuan në vitin 2010.

Separatistët armenë e morën nga Azerbajxhani zonën Nagorno-Karabak gjatë një lufte të përgjakshme në vitet 1990-të ku u vranë 30 mijë njerëz.

Bisedimet për të zgjidhur konfliktin janë ndërprerë që nga marrëveshja e armëpushimit të vitit 1994 mes Armenisë, Azerbajxhanit dhe enklavës Nagorno-Karabak.