NATO do dërgojë trupa shtesë në Kosovë

  • Leonat Shehu

NATO do dërgojë trupa shtesë në Kosovë

NATO-ja do të dërgojë forcave shtesë në Kosovë nga radhët e trupave operacionale rezervë. Ky paralajmërim u bë i ditur pas kërkesës që ka bërë komanda e KFOR-it në Kosovë, pas trazirave që përfshinë veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Zyrtarë të NATO-s nuk kanë shpalosur hollësitë rreth numrit të trupave shtesë që do të ndihmojnë trupat që ndodhen në terren, por zyrtarë të KFOR-it thanë se bëhet fjalë për një batalion.

Aktualisht, KFOR-i ka diçka më pak se gjashtë mijë trupa në Kosovë. Një pjesë e tyre tash e një javë janë përqendruar në veri, për të rivendosur rendin pas dhunës që pasoi operacionin e njësive të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll dy vendkalime kufitare më Serbinë. Një pjesëtarë i policisë u vra gjatë një sulmi në afërsi të Zubin Potokut një nga komunat me shumicë serbe, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga grupe serbësh.

Forcat paqeruajtëse thanë sot se gjendja në veri është e qetë por e tensionuar, ndërsa po vazhdon bllokimi i rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare nga banorët serbë.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën e kaluar një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit. Përfaqësuesit e Beogradit kanë kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, një kërkesë kjo e cila është hedhur poshtë nga Prishtina.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

Për këtë arsye diplomati britanik, Robert Cooper, përfaqësues i zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, u takua dje me përfaqësuesit e Beogradit, ndërsa sot po takohet edhe me ata të Prishtinës. Ende nuk ka pasur asnjë njoftim për diskutimet që është dukë zhvilluar zoti Cooper me të dyja palët.