Në Tiranë përfundon takimi mes shumicës dhe opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik

  • Armand Mero

Në Tiranë përfundon takimi mes shumicës dhe opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik

Në Shqipëri, drejtuesit e dy grupeve kryesore parlamentare të shumicës së djathtë dhe opozitës socialiste Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, zhvilluan mbrëmë një raund të ri bisedimesh në përpjekje për zgjidhjen e ngërçit të gjatë politik që lidhet me hetimin e zgjedhjeve të qershorit të kaluar.

Takimi zgjati afër një orë, dhe mbi bisedimet e zhvilluara nuk u dha asnjë detaj, përveç faktit se palët mbeten të angazhuara për arritjen e një marrëveshjeje brenda datës 27 korrik, dita e fundit e punës së parlamentit shqiptar i cili duhet të miratoje ngritjen e komisionit hetimor në rast të gjetjes së një zgjidhjeje.

Në takimin e javës së shkuar, palët ranë dakort për ngritjen e komisionit i cili do të duhet të drejtohet nga opozita e cila do të ketë edhe shumicën. Palët ranë dakort që një gjë e tillë të sanksionohej juridikisht dhe zgjidhja i ishte lënë në dorë shumicës.

Ndarja mes palëve vazhdon të qëndrojë për objektin e hetimit. Ndërsa shumica bie dakort vetëm për hetimin e dokumentacionit zgjedhor e lidhur kjo, në referencë të kodit zgjedhor sipas të djathtëve, me djegien e fletëve të votimit, opozita, bie dakort që të nisë hetimin me dokumentat zgjedhore, por kërkon që për fletët e votimit të pritet një vlerësim i komisionit të Venecias. Opozita këto ditë ka përgatitur propozimin e saj në funksion të këtij varianti.

Bisedimet pritet të vazhdojnë sot dhe takimi i mbrëmshëm mund të ketë qenë më shumë një shkëmbim i propozimeve juridike që palët kanë si për paktin mbi të cilat tashmë ka një dakortësi ashtu dhe për atë që lidhet me fletët e votimit. Fakti që bisedimet do të vazhdojnë dëshmon më së paku se përpjekjet nuk janë shuar dhe ende mbetet një shpresë se mund edhe të gjendet një zgjidhje.