Nënpresidenti Bajden përpiqet të sigurojë udhëheqësit kinezë

  • Zëri Amerikës

Nënpresidenti Bajden përpiqet të sigurojë udhëheqësit kinezë

Udhëheqësit kinezë shprehën besimin në ekonominë amerikane të rënduar nga borxhi, një çështje e rëndësishme kjo sepse Pekini është kreditori më i madh i huaj i Uashingtonit. Ata e bënë këtë vlerësim pozitiv sot, në ditën e dytë të bisedimeve me nënpresidentin amerikan Xho Bajden.

Nënpresidenti Bajden u përpoq të sigurojë udhëheqësit kinezë se borxhi prej 1,2 trilion dollarësh, që Thesari amerikan i ka Kinës, është i sigurt, ndërkohë që të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për rigjallërimin e rritjes ekonomike globale.

Vizita e zotit Bajden është errësuar nga pasiguria ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe ankthi i Pekinit lidhur me sigurinë e aseteve kineze në Amerikë. Nënpresidenti amerikan u takua sot me Presidentin kinez Hu Jintao.

"Për të kaluar direkt në temë, Presidenti Obama më kërkoi të vija në Pekin e të takohem me ju për të riafirmuar angazhimin tonë absolut dhe të plotë për një marrëdhënie të fortë dhe të qëndrueshme pozitive me Kinën", i tha zoti Bajden Presidentit kinez.

Zoti Biden u takua gjithashtu me Kryeministrin Wen Jiabao, i cili tha se Kina ka "besim të plotë", se Shtetet e Bashkuara do ta rikthejnë ekonominë e tyre në rrugën e rritjes së shëndetshme".

Udhëheqësit kinezë e kanë përsëritur këtë optimizëm gjatë gjithë vizitës së zotit Biden, duke u përpjekur të qetësojnë tregjet globale.

Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit amerikano-kinez për rigjallërimin e rritjes ekonomike botërore, duke theksuar lidhjet e shumta tregtare dhe të investimeve mes dy ekonomive më të mëdha të botës pavarësisht nga tensionet për të drejtat e njeriut, Tajvanin dhe çështje të tjera.

Pekini është kreditori më i madh i huaj i Uashingtonit dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve amerikanë të mos ndërmarrin hapa që mund të dëmtojnë vlerën e dollarit e bashkë me të edhe borxhin që Kina u ka dhënë Shteteve të Bashkuara.