Lëshimi i fundit e anijes amerikane të hapësirës është planifikuar për nesër, megjithëse administratorët e misionit të NASA-s presin të shohin si do të jetë moti.
Anija Atlantis është caktuar të niset nesër në orën 11:26 paradite sipas orës lokale nga Qendra e Hapësirës Kenedi në shtetin jugor të Floridës. Ekuipazhi i saj prej katër vetash do të dërgojë furnizime, paisje dhe disa eksperimente shkencore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës gjatë misionit 12-ditor.
Ekspertët e motit në agjencinë amerikane të hapësirës thanë sot se ka 70 për qind mundësi që retë dhe rrufetë ta shtyjnë nisjen e anijes deri të shtunën apo të dielën.
Qindra mijëra njerëz po mblidhen për të parë nisjen.
Misioni Atlantis do të jetë i 135-ti dhe i fundit i programit 30-vjeçar amerikan të anijes së hapësirës, i cili ka luajtur një rol qenësor në ndërtimin dhe funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
NASA thotë se po i jep fund misioneve të kësaj flote për t’u përqendruar tek eksplorimi i hapësirës më të largët.