Zona të ulëta të Nju Jorkut të përmbytura

Përmbytje të pashembullta në qytet kanë shkatërruar pasuri dhe kanë mbyllur sektorë jetikë të ekonomisë
Uragani Sandy u shoqërua me shira të rrëmbyer dhe erëra të fuqishme, duke lënë të përmbytura shumë zona të bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Fedynsky njofton se përmbytje të pashembullta në Nju Jork kanë shkatërruar pasuri dhe kanë mbyllur sektorë jetësorë të ekonomisë. Deri tani, nga stuhia Sandy kanë humbur jetën të paktën 33 njerëz.

Zhurma e sistemeve, që pompojnë ujë jashtë ndërtesave, dëgjohet kudo në zonat e ulëta të qytetit të Nju Jorkut. Don, hidraulik në lagjen Bruklin të Nju Jorkut, e filloi punën për nxjerrjen e ujit nga bodrumet para se të gdhinte. Ai thotë se kjo është përmbytja më e rëndë që ka parë, që prej 20 vjetësh, por në atë kohë nuk kishte lidhje me motin:

“Nuk mbaj mend të ishte uragan. Përmbytjet atëhere u shkaktuan nga shpërthimi i tubacionit të ujit në kanalin që lidh lagjet Bruklin dhe Bateri, rreth 60 centimetra ujë”.

Leslie Bernat banon afër kanalit Gowanus të Bruklinit, i cili doli nga shtrati dhe bëri që ajo të përfundonte me një metër ujë në bodrumin e shtëpisë. Leslie imigroi para shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara nga Franca. Ndërsa shikonte dëmin e shkaktuar në shtëpinë e saj, edhe ajo tha se nuk kishte parë kurrë një përmbytje kaq të rëndë:

“Brënda një ore çdo gjë në bordum u përmbyt. U shokuam sepse uji i kanalit na hyri në shtëpi menjëherë dhe nuk patëm asnjë mundësi të bënim ndonjë pastrim. Ne nuk prisnim kaq shumë ujë në bodrum”.

Në bodrumin e shtëpisë së saj ka hyrë edhe një shtresë nafte. Leslie dhe banorë të tjerë të zonës thonë se kjo shtresë erdhi nga kamjonët me naftë të parkuar një bllok më tutje, të cilët u mbuluan nga përmbytja në pikun e saj. Gjurmët nga tërheqja e ujit tregojnë shenjat e naftës, që tërhiqen bashkë me të.

Kërcënimi i përmbytjes bëri që zyrtarët të mbyllnin sistemin e metrosë së qytetit si dhe shërbimet me autobuz. Ata ndërprenë gjithashtu rrymën elektrike në Manhatanin e poshtëm, përfshirë edhe Distriktin Financiar, për të shmangur dëmin nga uji i kripur. Tregjet e aksioneve, shkollat dhe bisnese të ndryshme u mbyllën. Uji vërshoi në kanalet, që lidhin zona të ndryshme, duke i bërë ato të papërdorshme.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Bloomberg tha se do të duhet një farë kohe që Nju Jorku t’i kthehet jetës normale:

“Përveç njerëzve që humbën jetën, dëmi që pësuam në gjithë qytetin është shumë i madh dhe nuk do të riparohet brënda një dite. Dy sfidat më të mëdha me të cilat përballet qyteti ynë janë funksionimi i sistemit të transportit publik dhe kthimi i rrymës elektrike”.

Stuhia Sandy shkaktoi vdekjen e disa personave në Nju Jork. Stuhia e ka humbur intensitetin, por kur goditi zonën e Nju Jorkut, Sandy shoqërohej nga erëra prej gati 130 kilometrash në orë.