Newt Gingrich kryeson në garën e republikanëve për president

  • Jim Malone

Newt Gingrich kryeson në garën e republikanëve për president

Kanë mbetur më pak se tre javë para se votuesit republikanë në shtetin Iowa të hedhin votën për kandidatin e preferuar që ata duan t’i përfaqësojë në zgjedhjet presidenciale. Për momentin, epërsi në garë duket se kanë ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney. Në vazhdim një kronikë mbi fushatën republikane në Uashington:

Vetëm pak muaj më parë, Newt Gingrich ishte në fund të anketave në listën e kandidatëve republikanë. Tani ai ndodhet në krye, si në shkallë kombëtare, ashtu edhe në tre shtete të rëndësishme – Iowa, Karolina e Jugut dhe Florida.

“Kur kisha rezultate më të dobëta në anketa, vazhdoja të isha optimist. Tani që jam në krye, vazhdoj të jem optimist”.

Por një gjë e tillë mund të bëhet më e vështirë me ashpërsimin e kritikave nga rivali kryesor i zotit Gingrich, ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney:

“Në fund të fundit, e tillë është politika. Nuk mund të ankohesh në politikë”.

Zoti Romney thotë se rivali i tij, Gingrich është larguar nga parimet konservatore në të kaluarën.

Një tjetër konkurent, guvernatori i shtetit Teksas, Rick Perry, në një intervistë kohët e fundit për programin ABC News, përmendi faktin që Gingrich është martuar tre herë:

“Gjithmonë kam qenë i mendimit se po tradhëtove gruan, do të tradhëtosh edhe ortakun e biznesit”.

Gingrich nga ana e tij e ka pranuar se ka pasur rrëshqitje në jetën personale:

“Mendoj se njerëzit do të bëjnë gjykimin e tyre. Në rastin tim, e kam thënë hapur se kam bërë nganjëherë gabime. Më është dashur të kërkoj falje nga Zoti. Më është dashur të kërkoj qetësinë shpirtërore”.

Gingrich pati një efekt përçarës gjatë kohës që ishte kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitet 1990. Tani disa republikanë ngrenë pyetjen nëse ai do të jetë president i efektshëm. Ndër to është edhe ligjvënësi Peter King nga Nju Jorku.

“E kam parë sa e dëmtoi Partinë Republikane dhe Kongresin dhe mendoj se është detyra ime ndaj elektoratit dhe vendit tim që të mos e lejoj të ndodhë përsëri një gjë e tillë”.

Për momentin konservatorët duket se preferojnë zotin Gingrich krahasuar me rivalin tjetër, Romney, thotë Peter Brown i Universitetit Quinnipiac:

“Për disa arsye ky grup votuesisht konservatorë nuk po e përqafojnë zotin Romney. Ndoshta ata nuk e konsiderojnë sa duhet konservator. Cilado qoftë arsyeja, zoti Romney ka probleme me këtë grup”.

Votuesit republikanë fillojnë procesin e zgjedhjes së kandidatit të tyre më 3 janar në shtetin Iowa.