Një grup ekstremist merr përgjegjësinë për shpërthimin në Abuxha

  • Zëri Amerikës

Një grup ekstremist merr përgjegjësinë për shpërthimin në Abuxha

Një grup ekstremist islamik mori përgjegjësinë për një shpërthim masiv që ka tronditur sot ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin e Nigerisë, Abuxha, duke shkaktuar të paktën 18 të vrarë. Personeli mjekësor dhe dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se ekipet e shpëtimit nxituan të nxirrnin të mbijetuarit dhe trupat nga rrënojat.

Dëshmitarët thanë se kishin parë një makinë që kishte kaluar me forcë pikën e kontrollit dhe pastaj ajo kishte shpërthyer sapo kishte arritur tek ndërtesa 4-katëshe e selisë së OKB-së.

Pas sulmit, një zëdhënës i organizatës Boko Haram telefonoi një korrespondent të Zërit të Amerikës në Nigeri dhe mori përgjegjësinë për sulmin. Ai tha gjithashtu se “ky është vetëm fillimi” dhe se sulmi u krye si përgjigje ndaj shtimit të pranisë ushtarake në shtetin verilindor të Bornos, ku organizata Boko Haram është shumë aktive.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon tha se numri i viktimave do të jetë i konsiderueshëm, por shtoi se ende nuk dihet me saktësi. Zoti Ban e cilësoi sulmin “një akt të tmerrshëm” kundër njerëzve që ja kushtojnë jetën e tyre ndihmës për të tjerët. Ai tha se në kompleksin e OKB-së ndodhen 26 agjenci humanitare dhe zhvillimi, ku punojnë rreth 400 vetë. Ai tha se një ekip i OKB-së do të shkojë në Nigeri për të pare nga afër gjendjen.