Në Korenë e Veriut, Partia Komuniste në pushtet më në fund shpalli datën e konferencës së saj, më e madhja në disa dekada, për të zgjedhur një udhëheqje të re. Konferenca e delegatëve të Partisë së Punëtorëve do të fillojë punimet me 28 shtator. Udhëheqësi i vendit Kim Jong Il është 68 vjeç dhe besohet se është i sëmurë, pas një goditjeje në zemër dy vjet më parë.
Data e konferencës u njoftua sot nga Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut:
Delegatët do të mblidhen më 28 shtator për të zgjedhur udhëheqjen më të lartë të vendit, njoftoi televizioni shtetëror i Koresë së Veriut.
Kjo do të jetë konferenca më e madhe që zhvillon partia që nga Kongresi i vitit 1980, në të cilin 38-vjeçari Kim Xhong Il mbajti një fjali duke konfirmuar se ai do të ishte i pari në radhë që do të pasonte të atin, themeluesin e Koresë së Veriut, Kim Il Song.
Kim Xhong Il erdhi në pushtet në vitin 1994, kur i ati i tij vdiq nga sëmundja e zemrës.
Kim Xhong Il është tani 68 vjeç dhe para dy vjetësh pati një goditje në zemër. Mendohet se ai po përgatit djalin e tij të tretë, Kim Xhong Un për t’i kaluar pushtetin, njëlloj siç ndodhi 30 vjet më parë.
Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar nga zyrtarët e Koresë së Veriut.
Analistët thonë se Kim Xhong Un mund të emërohet pa bujë në ndonjë post të lartë partiak si pjesë e transferimit të pushtetit.
Koreja e Veriut pati njoftuar disa javë më parë se konferenca e partisë do të zhvillohej në fillim të shtatorit. Por në njoftimin e sotëm nuk u dhanë shpjegime se përse data e konferencës u shty.