Obama parashtron shkurtime në buxhet

  • Zëri Amerikës
    Uashington

Барак Обама

Presidenti Obama ka propozuar rritje taksash për të pasurit dhe korporatat si dhe shkurtime të shpenzimeve qeveritare, në projekt-buxhetin prej 3,8 trilion dollarësh që do t’i paraqesë Kongresit për vitin 2013.

Presidenti prezantoi në linja të përgjithshme përparësitë për projekt-buxhetin e tij në një kolegj pranë Uashingtonit, duke nënvizuar rritjen e fondeve për arsimin, në mënyrë që studentët të përftojnë aftësitë e nevojshme që të zënë vende të mira pune.

Ai tha se plani i tij i shpenzimeve ka për synim të nxisë ekonominë brenda periudhës afat-shkurtër dhe të ulë deficitin buxhetor me afro 4 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Presidenti Obama propozoi rritjen e taksave për korporatat me rreth 1,5 trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme dhe pakësimin e shpenzimeve qeveritare. Propozimi do ta çonte në 1,3 trilionë dollarë deficitin vitin e ardhshëm.

Kongresi duhet ta miratojë buxhetin para se të hyjë në fuqi dhe aktualisht ligjvënësit janë të ndarë në vija partiake dhe shumë kritikë ndaj përparësive që ka përcaktuar presidenti Obama.