Presidenti Obama kthehet sot në Uashington, pas pushimeve në Havai

  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama kthehet sot në Uashington, pas pushimeve në Havai

Presidenti amerikan Barak Obama kthehet sot në Uashington, pas përfundimit të pushimeve familjare në shtetin e Havait që zgjatën gati dy javë.

Presidenti ka pakësuar paraqitjet publike që prej se filloi pushimet më 22 dhjetor. Ato pasuan disa fitore të rëndësishme në Kongresin amerikan, përfshirë miratimin e një kompromisi të rëndësishëm për zgjatjen e shkurtimeve të taksave dhe ratifikimin në Senat të një traktati të ri me Rusinë për armët bërthamore.

Por zoti Obama do të përballet me një legjislaturë të ndarë, ndërsa republikanët e opozitës marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe demokratët, me gjithë humbjet, ruajnë shumicën në Senat.

Udhëheqësit republikanë kanë shpallur tashmë plane për shqyrtimin e një mase që do të shfuqizonte reformën e kujdesit shëndetësor që u miratua në Kongres vitin e kaluar. Ata po ashtu janë zotuar se do të pakësojnë shpenzimet federale dhe të tkurrin madhësinë e qeverisë.