Obama takohet me drejtuesit republikanë dhe demokratë të Kongresit

  • Zëri Amerikës

Obama takohet me drejtuesit republikanë dhe demokratë të Kongresit

Republikanë të njohur në kongresin amerikan po shpresojnë të largojnë presidentin Obama nga ato që i quajnë “përparësi të gabuara të dy viteve të shkuara”.

Presidenti po takohet në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit republikanë dhe demokratët e Kongresit. Është ky takimi i tyre i parë që nga zgjedhjet e këtij muaji që u dhanë republikanëve shumicën në Dhomën e Përfaqësueve.

Në një artikull në gazetën The Washington Post, kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësueve John Boehner dhe udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConnel thonë se ka ardhur koha që presidenti Obama dhe demokratët të tregojnë seriozitet në shkurtimin e taksave dhe shpenzimeve.

Dje, zoti Obama propozoi ngrirjen e pagave të gati 2 milion punonjësve federalë. Republikanët e mirëpritën planin që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se do t’i kursejë qeverisë gati 5 miliardë dollarë gjatë dy vjetëve të ardhshme.