Olande takohet me Obamën, riafirmon tërheqjen e parakohëshme nga Afganistani

  • Dan Robinson

French President Francois Hollande, left, listens as U.S. President Barack Obama speaks at the start of the first working session of the G8 Summit at Camp David, Md., May 19, 2012.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, filloi dje veprimtaritë diplomatike katër ditëshe me takimin e nivelit të lartë të G-8s në vendpushimin presidencial Kemp Dejvid jashtë Uashingtonit.


Udëheqësit e grupit pritet të diskutojnë gjatë takimit të tyre dy ditor për tregjet botërore të naftës, për energjinë dhe klimën, për tranzicionin në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, si dhe për krizen e borxheve të eruozonës.


Zoti Obama ka ftuar gjithashtu në këtë takim udhëheqësit e vendeve afrikane, Beninit, Etiopisë, Ganës dhe Tanzanisë për të diskutuar sigurimin e ushqimit për kontinentin. Para se të shkonte në Kemp Dejvid, zoti Obama priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Francës Fransua Olande.


Presidenti i Francës, Fransua Olande dhe Presidenti Barak Obama diskutuan për Afganistanin, krizën e eurozonës, për Sirinë dhe çështje të tjera ndërkombëtare në një takim që zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondeti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, na informon se Bisedimet e Presidentit Olande në Shtëpinë e Bardhë, pjesë marrja e tij në takimin e nivelit të lartë të G8s në Kemp Dejvid të Merilandit, dhe në takimin e nevelit të lartë të NATOs në në Çikago, janë pjesë e paraqitjes së tij ndërkombëtare pas fitores në zgjedhjet presidenciale në Francë.


Gjatë fushatës ai u zotua se do të tërhiqte 3400 trupat e Francës nga Afganistani deri në fund të këtij viti. Kjo vjen shumë përpara planit të NATOs për të tërhequr të gjitha trupat nga Afganistani në vitin 2014, kur forcat e qeverisë afgane do të marrin të gjitha përgjegjësitë për sigurinë në vend.


Në komentet e tij përmes përkthyesit, Presidenti Olande tha se i kujtoi Presidentit Obama zotimin që ai kishte marrë ndaj popullit francez dhe se mbështetja e Francës për Afganistanin do të vazhdojë në një formë tjetër.


"Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Afganistanin në një mënyrë tjetër, mbështetja jonë do të ketë tjetër formë dhe gjithçka ne do ta bëjmë në mirëkuptim me aleatët tonë në Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë dhe kështu ne do të vazhdojmë t’u përmbahemi zotimeve tona ndaj atij vendi, duke i ofruar furnizime dhe mbështetje, siç thashë në një mënyrë tjetër”.


Në deklaratën e tij, Presidenti Obama tha se ai dhe zoti Olande ranë dakord se ndërkohë që aleanca e NATOs po i jep fund fazës së luftimeve, është me rëndësi që të vazhdojë angazhimi për sigurinë dhe zhvillimin në Afganistan.

Zoti Obama tha se pjesa më e madhe e diskutimit të tyre u përqendrua në situatën e eurozonës dhe shtoi se ajo është me rëndësi të jashtëzakonshme për popujt e Evropës dhe për ekonominë botërore.


"Ne presim zhvillimin e diskutimeve të frutshme më vonë sonte dhe nesër me udhëheqësit e tjerë të G8s për konsolidimin fiskal dhe rritjen ekonomike”.

Presidenti Olande, i cili është socialist, bëri fushatë pro rritjes ekonomike dhe u shpreh për rishqyrtimin e masave shtrënguese ekonomike, duke përfshirë edhe traktatin kundërthënës të Bashkimit Evropian që mbrohet fuqishëm nga Gjermania. Në komentet e tij, zoti Olande iu shmang shpjegimit të pikpamjeve të tij kundër këtyre masave.


"Unë diskutova temat kryesore me Presidentin Obama, përfshirë ekonominë dhe faktin se rritja ekonomike duhet të ketë përparësi në të njejtën kohë që ne marrim masa për të përmirësuar financat. Dhe për sa i përket rritjes ekonomike, Presidenti Obama ishte i të njejtit mendim, në mënyrë që ne të përparojmë”.

Zoti Olande tha se ai dhe Presidenti Obama kanë të njejtën pikpamje se Greqia duhet të qendrojë në eurozonë.


Për Iranin, zoti Olande tha se Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë dakord për rëndësinë e negociatave me Teheranin dhe për nevojën për të qënë të vendosur të parandalojnë Iranin të zotërojë armë bërthamore.


Si në çështjen e Iranit, ashtu edhe për Afganistanin dhe Pranverën Arabe, zoti Obama tha se Franca ka luajtur rol udhëheqës.


"Siç i vura në dukje Presidentit Olande, kur Shtetet e Bashkuara dhe Franca, së bashku me aleatët e tjerë kryesorë, vendosim të mbajmë një qendrim të fortë në mbështetje të demokracisë, lirisë dhe zhvillimit, mund të realizonet përparim i tejet i madh”.


Presidenti Obama tha se e garantoi zotin Olande se miqësia dhe aleanca e Shteteve të Bashkuara me Francën është me rëndësi të jashtëzakonshme për të dhe vlerësohet shumë nga populli amerikan.


Zoti Olande tha se Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë qënë gjithmonë në gjendje të kapërcejnë mosmarrëvshjet dhe se ishte me rëndëri për të që të shfrytëzonte takimet e nivelit të lartë të G8s dhe NATOs për të ritheksuar rëndësinë e këtyre marrëdhënieve.