OSBE dënon sulmin ndaj gazetarit serb Pançiç

  • Zëri Amerikës

OSBE dënon sulmin ndaj gazetarit serb Pançiç

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë dënoi sot sulmin e egër të ushtruar ndaj gazetarit serb Teofil Pançiç. Zoti Pançiç, i cili punon për revistën e përjavëshme Vreme dhe njihet për qëndrimet kritike kundër nacionalizmit dhe huliganizmit, u rrah brutalisht më 24 korrik dhe u dërgua me urgjencë në spital për shkak të plagëve të rënda të marra në kokë.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, tha se sulme të tilla përpiqen t’i mbyllin gojën gazetarisë së guximshme dhe të minojnë vlerat demokratike të vendit. Ajo tha se dhuna kundër gazetarëve është e barabartë me dhunën kundër shoqërisë dhe demokracisë dhe duhet të kundërshtohet duke e dënuar atë ashpër dhe duke ndjekur ligjërisht autorët. Sipas njoftimeve, Pançiç u godit me shufra metalike kur ishte duke udhëtuar në një autobus plot me njerëz në Zemun të Serbisë. Pas sulmit, autorët u larguan dhe ende nuk janë kapur.