Vdes arkitekti i famshëm brazilian Oscar Niemeyer

NIEMEYER

Arkitekti brazilian me famë botërore, Oscar Niemeyer, i cili projektoi pjesën më të madhe të kryeqytetit modern të Brazilit, vdiq dje në moshën 104 vjeçare.

Niemeyer është më i famshëm për përdorimin e formave abstrakte dhe kurbaturave, duke lënë mënjanë linjat e drejta tradicionale. Ai ishte mes të parëve që eksploroi mundësitë e përdorimit të betonarmesë për të realizuar vizionin e tij krijues.

Arkitekti brazilian u bë i njour në mes të shekullit të 20-të si një nga vizionarët e mëdhenj modernistë. Ai projektoi qidnra objekte nëpër botë, duke përfshirë edhe selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në këtë projekt dhe në projekte të tjera të fillimit, Niemeyer bashkëpunoi me një tjetër pionier të ndërtimeve me beton, arkitektin franko-zviceran, Charles-Edouard Jeanneret-Gris, i njohur më shumë me pseudonimin e tij Le Corbusier.

Në vitin 1956, Niemeyer u emërua kryearkitekt i kryeqytetit futurist të Brazilit, Brasilia, një qytet i ri në zemër të xhunglës së Amazonës. Kjo arritje e bëri atë të famshëm në gjithë botën.

Ai fitoi çmimin më të lartë në arkitekturë, Pritzker, në vitin 1988. Niemeyer do të kishte mbushur 105 vjeç më 15 dhjetor.