Sulm në një burg të Pakistanit

Militantët në Pakistan, disa prej tyre të maskuar me uniforma policie, sulmuan me mitralozë dhe me granada një burg në veriperëndim të vendit në qytetin Dera Ismail Khan. Në këtë aksion u liruan mbi 240 të burgosur, përfshirë 25 terroristë.

Zyrtarët thanë se 12 persona, mes tyre 4 policë u vranë gjatë sulmit. Autoritetet kanë vendosur gjendjen shtetrrethimit në qytet. Policia dhe ushtria e kanë bllokuar mbarë zonën.

Një zëdhënës i talebanëve në Pakistan mori përgjegjësinë për sulmin. Ai i tha agjencive të lajmeve se në të ishin përfshirë rreth 150 militantë, mes tyre edhe disa autorë vetvrasës. Zëdhënësi deklaroi se sulmi u kurorëzua me sukses.

Rreth 5 mijë të burgosur jetojnë në atë burg, mes tyre rreth 250 të dënuar si terroristë. Rreth 40 prej tyre konsiderohen si “të burgosur të rëndësishëm”.

Dera Ismail Khan ndodhet pranë rajoneve fisnore në kufi me Afganistanin, ku veprojnë talebanët me lidhje me Al Kaidën dhe ku nuk ndihet veprimi i ligjit.