Autoritetet pakistaneze thanë se një sulm i armatosur mbi një autobusë në Karaçi, la pas vetes të paktën 43 të vrarë. Viktimat i takonin komunitetit pakicë shiit, Isamili.
Shefi i policisë krahinore Ghulam Haider Jamail tha se gjashtë persona me motoçikleta kishin zënë pritë dhe pasi hynë në autobus qëlluan mbi pasagjerët.
Dëshmitarët i thanë policisë se pasagjerët pandehën që personat e armatosur donin të plaçkitnin prandaj ofruan gjithçka që kishin, përfshirë telefonat celular dhe paratë, duke u lutur për jetët e tyre. Por, sulmuesit pasi urdhëruan pasagjerët të ulin kokat, qëlluan mbi ta me armë automatike. Sulmuesit, sipas dëshmitarëve, u kursyen jetën dy fëmijëve dhe shoferit të autobusit duke i urdhëruar atij që të dërgojë autobusin në spital.
Të paktën 16 gra ishin në mesin e të vrarëve.
Sulmuesit ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa autoritetet bllokuan zonën duke transportuar të plagosurit për në spitale.
Ndërkohë, shefi i ushtrisë pakistaneze, gjenerali Raheel Sharif, anuloi udhëtimin e tij për në Shri Lankë për shkak të sulmit mbi autobusin në Karaçi.
Komuniteti Ismaili në Pakistan, konsiderohet si përparimtar dhe thellësisht jo politik, pjesëtarët e të cilit punojnë kryesisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.
Ende asnjë grup nuk ka marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës.