Palmer në Shkup: Vota në parlament për emrin, një kthesë historike

  • Isak Ramadani

Palmer-Zaev

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer tha të hënën në Shkup se votimi në parlament të premten me tetëdhjetë vota për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e vendit, paraqet një kthesë historike për Maqedoninë dhe popullin e saj.

“Maqedonia, ndërsa përparon drejt integrimit në NATO dhe në BE do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Palmer në një konferencë shtypi pas takimit me Kryeministrin Zoran Zaev.

Zoti Palmer nuk pati takime me drejtuesin opozitar Hristijan Miçkovski të VMRO-DPMNE-së as me presidentin Gjorgje Ivanov. Zyrtari amerikan duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për arësyen, mohoi se zotit Miçkovski dhe partisë së tij po i mbylleshin dyert e SHBA-së. Ai tha se kishte takuar sot ligjvënës të VMRO-DPMNE-së.

Para pak ditësh, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell i shkruante z. Miçkovski me tone kritike për kërcënimet që partia e tij u bënte deputetëve të saj për të mos votuar ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të Maqedonisë.

Kryeministri Zaev tha se votimi i së premtes vuri në dukje edhe një herë përcaktimin drejt rrugës Euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë.

“Deputetët morën guximin për përgjegjësinë dhe shkruan historinë; e shmangën Maqedoninë nga kërcënimi për t’iu kthyer të kaluarës së errët. E ndalën rrezikun e një izolimi të ri që kësaj radhe do të kishte dimensione katastrofike për vendin,” tha zoti Zaev.

Autoritetet maqedonase me të cilat u takua, i thanë zotit Palmer se qytetarët e Republikës së Maqedonisë e shikojnë të ardhmen e vendit të tyre në familjen euro-atlantike dhe theksuan shpresat për ecurinë me sukses drejt këtyre integrimeve.

Zoti Palmer u takua me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili theksoi “përkushtimin konstruktiv të partisë në javët në vijim deri në përmbylljen e procesit për integrimin e vendit në NATO dhe BE”.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit pati takime edhe me drejtuesit e Lëvizjes Besa, të Aleancës për Shqiptarët dhe të Partisë Demokratike Shqiptare.

Ministri maqedonas i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski njoftoi të hënën se të gjithë deputetët opozitarë maqedonas të cilët votuan propozimin për ndryshimin e kushtetutës janë marrë në mbrojtje nga policia dhe se kërcënimet e shantazhet ndaj tyre do të ndëshkohen.

Parlamenti i Maqedonisë votoi të premten me dy të tretat propozimin për ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës.

Tani, qeveria duhet t’i dorëzojë parlamentit projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të vendit, që do të ishte Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.

Ndryshimet kushtetuese përsëri do të duhet të miratohen me shumicën e kualifikuar prej dy të tretave të votave në parlamentin me 120 vende. Sipas pritshmërive kjo do të ndodhte në janarin e 2019-s, por ka gjasa edhe më herët.

Edhe parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen (e Prespës) pasi të gjitha procedurat të jënë miratuar nga parlamenti në Shkup.