Panetta: Lufta kundër Al-Kaidës kërkon strategji komplekse

  • Zëri Amerikës

Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se nuk ka një mënyrë të vetme për të shkatërruar al-Kaidën, por vrasja e udhëheqësit të saj Osama bin Laden e ka dëmtuar këtë rrjet.

Sekretari Leon Panetta tha dje se sa më të suksesshme të jenë Shtetet e Bashkuara në eliminimin e individëve që përfaqësojnë udhëheqjen shpirtërore dhe ideologjike të rrjetit, aq më të aftë do të bëhen ato në parandalimin e kërcënimit që paraqet al-Kaida për vendin.

Zoti Panetta shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta që nga vrasja e bin Ladenit, i cili u eliminua në një operacion të forcave speciale më 2 maj të vitit të kaluar në Abotabad të Pakistanit.

Zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane kanë thënë në kushte anonimiteti se megjithëse rrjeti al-Kaida mund të mos jetë në gjendje të organizojë sulme të ngjashme me ato të 11 shtatorit 2001, grupet që kanë lidhje me këtë rrjet mbeten kërcënim për sigurimin kombëtar.