Zëvendëspresidenti Pence këtë javë në një turne aziatik

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, fillon këtë javë një turne në Azinë verilindore, që synon të rrisë profilin e tij - ai planifikon të vizitojë deri në 10 vende këtë vit – si dhe për t’iu kundërvenë ofensivës diplomatike të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore.

Shtetet e Bashkuara nuk duan të "lejojnë regjimin e Koresë së Veriut të përvetësojë mesazhet me propagandën e tij", u tha gazetarëve një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë para nisjes së zotit Pence të hënën.

Në Tokio dhe Seul nënpresidenti do të përpiqet të intensifikojë atë që administrata amerikane e quan fushatë të presionit maksimal kundër Phenianit për ta bërë atë të heqë dorë nga armët bërthamore dhe programet e raketave balistike. Vizita vjen në një kohë të angazhimit midis dy Koreve dhe njoftimeve për mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Seulit lidhur me qëndrimin ndaj Veriut.