Pence diskuton për Venezuelën

Nënpresidenti amerikan Mike Pence, hasi në rezistencën e presidentit kolumbian Juan Manuel Santos të dielën lidhur me kërcënimin e presidentit Donald Trump për të përdorur forcën ushtarake në Venezuelë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Manuel Santos në Kartagjenë, zoti Pence ndonëse nuk iu referua dretpërdrejt, nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake.

Megjithatë zoti Pence, i tha presidentit kolumbian se Shtetet e Bashkuara do të preferonin më shumë atë që ai e quajti një zgjidhje "paqësore" për Venezuelën.

Ai tha se ka shumë mundësi për të ushtruar presion ndaj regjimit të Maduros në Venezuelë, përfshirë rritjen e presionit ekonomik dhe diplomatik. Nënpresidenti Pence siguroi zotin Santos se SHBA nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa Venezuela "shkatërrohet" dhe shkon drejt diktaturës, siç tha ai.

Sipas nënpresidentit amerikan një shtet i dështuar në Venezuelë rrezikon gjithë kontinentin. Ai tha se zoti Trump e dërgoi atë në Amerikën Latine të sigurojë dhe të konsolidojë mbështetjen rajonale për të ndihmuar popullin venezuelian.

Por presidenti Santos tha se asnjë vend në Amerikën Latine nuk do të pranonte asnjë formë të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë dhe se kjo nuk duhej kurrë të merrej në konsideratë.

Dy ditë pasi administrata amerikane vendosi sanksione mbi Venezuelën, presidenti Trump njoftoi të premten konsiderimin edhe të një zgjidhjeje ushtarake lidhur me Venezuelën, duke e përshkruar situatën atje si "kaos të rrezikshëm". Venezuela e cilësoi “të pamatur” kërcënimin e presidentit Trump.