Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore thanë se ende kanë shqetësime serioze rreth programit bërthamor të Iranit, megjithë marrëveshjen e Teheranit për të dërguar në Turqi një pjesë të uraniumit të pasuruar.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit tha se Teherani ka rënë dakord të këmbejë 1,200 kilogram uranium të gradës së ulët, pak më shumë se sa gjysma e rezervave të tij të deklaruara, me karburant bërthamor me nivel më të lartë pasurimi që të përdoret në reaktorë bërthamorë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibbs tha sot se për Iranin do të ishte hap pozitiv që të transferonte uranium të gradës më të ulët. Megjithatë, zoti Gibbs tha se deklarata e Iranit për të vazhduar programin e pasurimit është një shkelje direkte e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.