Pesë militantë të njohur talebanë, që mbahen në burgun e ushtrisë amerikane në Guantanamo të Kubës mund të transferohen së shpejti për t’u mbajtur në izolim në Katar.
Zyrtarë të lartë afganë u thanë sot agjencive të medias se 5 të burgosurit kanë pranuar të transferohen në Katar, veprim që duhet të miratohet nga Kombet e Bashkuara dhe nga disa ligjvënës amerikanë, që e njohin propozimin dhe që kanë shprehur kundërshtim të ashpër.
Marrëveshja e mundshme do të shërbejë si nismë për talebanët që të fillojnë bisedime serioze të paqes me qeverinë e Presidentit Hamid Karzai.
Njëri prej përfaqësuesve të zotit Karzai u takua në fillim të javës me të burgosurit talebanë për të marrë miratimin e tyre për transferimin.
Njoftohet se talebanët e Afganistanit kanë filluar bisedime paraprake me zyrtarë amerikanë në Katar dhe më parë kanë njoftuar plane për hapjen e një zyre atje. Ky grup ka refuzuar vazhdimisht të hyjë në negociata me qeverinë afgane.