Piloti amerikan merr frymëzim nga skuadra Tuskegee Airmen

  • Kane Farabaugh

Piloti amerikan merr frymëzim nga skuadra Tuskegee Airmen

Para Luftës së Dytë Botërore, afrikano-amerikanët nuk janë lejuar të jenë pilotë aeroplanësh në ushtrinë amerikane. Racizmi i ka penguar ata të shërbejnë në mënyrë të barabartë me homologët e tyre të bardhë.

Por një grup i njohur pilotësh që njihej me emrin Tuskegee Airmen ndihmoi në thyerjen e barrierave racore dhe hapi rrugën për integrimin e afrikano-amerikanëve në forcat e armatosura në vitin 1948 së bashku me lëvizjen për të drejtat civile të viteve 1960.

Arritjet e Tuskegee Airmen, një skuadër pilotësh e përbërë nga afrikano-amerikanë, shkuan kryesisht pa u vënë re gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Përkundër mungesës së njohjes, Beverly Dunjill dhe pilotët e tjerë thyen “barrierat racore” në ushtrinë amerikane.

Historitë e tyre kanë motivuar të rinj si Kenyatta Ruffin, i cili, disa breza më vonë, vendosi të ndjekë karrierën në forcat e armatosura.

Pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Ruffin u bë pilot i avionëve luftarakë F-16.

Gjatë dislokimit në Irak, fati e solli atë më pranë idhujve të tij. Ai kujton:

“Unë zbarkova në bazën ajrore Balad në Irak. Aty ishte Krahu i 332-të i Ekspeditës Ajrore, e cila është pasuesja e drejtpërdrejtë e njësisë Tuskegee Airmen. Pra, unë kam bërë pjesë në të njëjtën njësi si Tuskegee Airmen”.

Ruffin ishte i vetmi pilot afrikano-amerikan që shërbente në këtë njësi në atë kohë.

“Në shumicën e njësive që kam shërbyer, unë kam qenë piloti i vetëm afrikano-amerikan”. - thotë ai

Kenyatta Ruffin është një nga 45 pilotët afrikano-amerikanë që shërbejnë në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Ata përfaqësojnë 1,4 përqind të të gjithë pilotëve që shërbejnë në Forcat Ajrore, një shifër shumë më e ulët se përqindja e afrikano-amerikanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur afro 1000 pilotë zezakë u diplomuan nga Instituti Tuskegee në shtetin jugor të Alabamës.

“Është një statistikë tronditëse, veçanërisht në qoftë se mendoni se ne duam të jemi përfaqësues të shoqërisë, dhe popullsia afrikano-amerikane është nga 10 - 12 për qind”.

Ruffin thotë se pabarazia nuk është rezultat i racizmit:

“Çështja është se nuk ka publicitet të mjaftueshëm për këtë. Mediat mbulojnë më shumë lojtarët e basketbollit, lojtarët e futbollit, dhe këngëtarët e muzikës rap, ato nuk bëjnë publicitet për pilotët e skuadrës Tuskegee Airman që jetuan jetën e tyre me përsosmëri, me karakter dhe aftësi”.

Në një teatër në Çikago pasi shikoi filmin artistik Red Tail që pasqyron arritjet e pilotëve të skuadrës Tuskegee Airmen, Ruffin e përdor filmin si një mënyrë për të rritur publicitetin për jetën e tij si një pilot.

Ai thotë se fjalët e afrikano-amerikanit të parë që u ngrit në rangun e gjeneralit me katër yje, Daniel James, Jr, janë të vërteta kur ai flet për të rinjtë:

“Ai thotë se fuqia e arritjeve të shkëlqyera ka ndikim të madh. Përsosmëria s’do t’ia dijë për ngjyrën e lëkurës’. Kjo është shumë e vërtetë”.
Vetë Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë moton “Syno lart”.