Presidenti polak takon opozitën pas protestave

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, u takua të dielën me udhëheqësit e partisë së opozitës, për të zgjidhur një krizë politike që ka shkaktuar protesta të mijëra njerëzve në rrugët e kryeqytetit të vendit, si dhe një protestë ulur në Parlament.

Ligjvënësit e opozitës morën kontrollin e dhomës kryesore të parlamentit të premten, si protestë ndaj masave të reja për kufizimin e mediave në mbulimin e lajmeve për ligjvënësit. Protestat anti-qeveritare në mbështetje të ligjvënësve vazhdonin prej disa ditësh.

Sipas masave të reja, në galerinë e shtypit në Parlament nuk do të lejoheshin më tepër se dy gazetarë nga çdo organizatë mediash njëherazi. Po ashtu reporterëve u ndalohet marrja e fotografive dhe e videove.

Qeveria thotë se masat e reja janë të nevojshme për të siguruar një mjedis të përshtatshëm pune, por kritikët thonë se ato do ja vështirësojnë mediave informacionet për keqpërdorim detyre nga zyrtarët.