Policia analizon luftën kundër drogës, opozita skeptike

Policia shqiptare deklaroi sot se sasitë e drogave që trafikohen përmes shqipërisë janë të papërfillshme, ndërsa po vazhdon punën për të ndaluar mbjelljen e bimëve narkotike.

Ministri i brendshëm Bujar Nishani, Shqipëria mbetet ende një vend i kultivimit të kanabisit dhe eksportit të tij, ndonëse ka një tendencë në rënie, dhe numri i bimëve të kultivuara është ulur 5 herë, krahasuar me vjet më parë:

“Gjatë dy viteve të fundit janë arritur rezultatet më të mira në luftë ndaj këtij fenomeni për këto 5 vitet e fundit, duke e reduktuar kultivimin e bimëve të kultivuara në afërsisht pesë herë, në krahasim me vitin 2007. Ky intensitet vijon dhe për fillim 2012 ku për periudhën Janar deri në ditët e para të muajit Mars të këtij viti janë evidentuar 132 raste të kapjes të marijuanës, ku janë sekuestruar mbi 2 ton e janë proceduar 182 autorë. Gjithashtu, janë kryer 6 operacione ndërkombëtare, në përfundim të të cilëve janë arrestuar në vendin tonë 7 persona për trafik ndërkombëtar droge” - tha ministri Nishani në një takim forcat e rendit.

Por opozita dhe analistë të pavarur mendojnë se lufta kundër trafikut të drogave dhe kultivimit të bimëve narkotike është e pamjaftueshme, sezonale, dhe pa ndonjë vullnet të qartë politik.

Deputeti i Partisë Socialiste në komisionin parlamentar të sigurisë, Ilir Gjoni thotë se qeverisë i mungon vullneti politik për të luftuar drogat. Ai thotë se policia duhet të bëjë një luftë të vërtetë kundër drogave dhe jo të kujdeset vetëm për rregullimin e statistikave krahasuar me vite të mëparshme:

“Qeveria ka hartuar një strategji kundër krimit të organizuar dhe deri tani, kur afati i zbatimit skadon vitin tjetër, nuk është përmbushur asnjë nga objektivat e saj. Pika 9 midis 12 detyrave të Bashkimit Europian kërkon që Shqipëria të ketë më shumë rezultate në luftën kundër krimit, por koalicioni qeveritar nuk ka vullnet politik. Këtë e tregoi edhe me arratisjen e trafikantit turk, edhe me përfshirjen në politikë të një të dënuari nga Italia në Fer dhe me shumë shembuj të tjerë. Opozita nuk ka hapësira të japë ndihmesën e saj në këtë luftë, përveçse në pushtetin vendor” - tha ai.

Analisti i njohur i kriminalitetit Sokol Bregu, thotë se “kapja e 2 milionë dollarë drogë nga policia është një rezultat i ulët, duke ditur se këtu qarkullon shumë herë më tepër. Policia arrin të kapë sasi canabis dhe droge të braktisura pa autorë, dhe mbetet vetëm tek arrestimi i shoferëve, pa thelluar hetimet më tej ndaj grupeve kriminale. Trafikim zero nuk mund të ketë, por së paku Shqipëria mund të arrijë kultivimin zero, që të dalë nga lista e mbjelljes së bimëve narkotike” - tha ai.

Një muaj më parë në raportin e departamentit të shtetit thuhej se shqipëria ka shënuar përmirësime në luftën kundër drogave, por ende mungojnë burimet, dhe vullneti politik, dhe korrupsioni është një pengesë krahas sistemit gjyqësor të pafuqishëm.