Pompeo, Netanjahu zotohen të luftojnë agresionin e Iranit

Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u zotuan të kundërshtojnë atë që e cilësuan agresion të Iranit në Lindjen e Mesme.

“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po punojnë falë një bashkërendimi të ngushtë për të zvogëluar agresionin iranianian në rajon dhe në mbarë botën", tha zoti Netanyahu, duke vënë në dukje se presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit ka patur ndikim.

Ai bëri i komentet pas diskutimeve lidhur me çështje të sigurisë rajonale me zotin Pompeo, i cili mbërriti në Izrael pas një vizite në Kuvajt.

Gjatë bisedimeve të së mërkurës, zoti Netanjahu dhe zoti Pompeo theksuan afërsinë e marrëdhënieve SHBA-Izrael dhe premtuan të pengojnë kërcënimet që vijnë nga Iraniani ndaj Izraelit. Të dy udhëheqësit njoftuan gjithashtu se javën e ardhshme Presidenti Donald Trump do ta presë zotin Netanjahu për një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri izraelit e falenderoi sekretarin amerikan të Shtetin për mbështetjen që administrata Trump i ka dhënë vendit të tij si dhe për tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015, duke e quajtur atë një vendim "historik".

Zoti Pompeo vuri në dukje atë që ai e cilësoi kërcënim ndaj Izraelit që vjen prej udhëheqësit suprem të Iranit.

"Ajatollah-u ka deklaruar se asgjësimi i Izraelit është qëllimi i tij kryesor", tha zoti Pompeo. "Për shkak të kërcënime të tilla ne ruajmë angazhimin tonë të pashembullt ndaj sigurisë së Izraelit dhe mbështesim fuqishëm të drejtën tuaj për të mbrojtur veten", tha ai.

Diplomati më i lartë amerikan tha gjithashtu se administrata Trump është e përkushtuar në luftën kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe fanatizmit të të gjitha formave të shfaqjes së tij.

"Me valën e errët të antisemitizmit që po rritet në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të gjitha kombet, veçanërisht ato në Perëndim, duhet të jenë barrikadë kundër fanatizmit", tha zoti Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se ai dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë të enjten ambasadën e sapo hapur të SHBA-së në Jerusalem si dhe vendet historike e të shenjta në qytet.

Qeveria e Kryeministrit Benjamin Netanjahu po shkon drejt një përballjeje të ashpër për rizgjedhje në 9 prill, pas një hetimi për korrupsion ndaj zotit Netanjahu dhe përballjes me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Në komentet për gazetarët ndërsa udhëtonte drejt Lindjes së Mesme zoti Pompeo hodhi poshtë pohimet se takimi i tij me kryeministrin izraelit mund të shihej si një ndërhyrje e SHBA-së në zgjedhjet izraelite, në mbështetje të zotit Netanjahu.

Javën e kaluar një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Pompeo nuk do të takohej me kundërshtarët politikë të zotit Netanyahu, por vetëm me kreun aktual të qeverisë izraelite.

Zoti Pompeo tha se ndryshimi i kohëve të fundit i terminologjisë së Uashingtonit lidhur me territorin e Bregut Perëndimor dhe Lartësitë Golan të Sirisë nga "të pushtuar prej Izraelit" në të "kontrolluar" nga shteti hebre, nuk ishte aksidental.

Ai tha se karakterizimi në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në mbarë botën, mbi kontrollin izraelit të territoreve të diskutueshme, "ishte një deklaratë faktike se si SHBA-ja e sheh situatën”.

Zoti Pompeo tha se në ndalesën e tij të tretë në Bejrut "do të shpenzojë shumë kohë duke biseduar me qeverinë libaneze rreth asaj se si mund t'i ndihmojmë ata të shkëputen nga kërcënimi që paraqesin Irani dhe Hezbollahu ".

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollahun, një grup politik militantësh islamikë, si organizatë pro-iraniane "terroriste", edhe pse përfaqësohet në qeverinë e koalicionit të kryeministrit Saad Hariri, një aleat i SHBA-së.