Presidenti Obama përpiqet të gjejë emërues të përbashkët me republikanët

  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama përpiqet të gjejë emërues të përbashkët me republikanët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama nuk ka humbur kohë për të filluar përpjekjet për gjetjen e një emëruesi të përbashkët me partinë republikane të opozitës, që fitoi ndaj partisë demokrate në zgjedhjet për Kongresin më 2 nëntor.

Në fjalimin e tij të përjavshëm sot, zoti Obama kërkoi mbështetje për vendimin e tij për të mbajtur në fuqi uljen e taksave që u fillua nga Presidenti Republikan Xhorxh Bush. Plani e ka afatin e skadimit në fund të këtij viti.

Zoti Obama tha se beson tek ideja e shkurtimit të përhershëm të taksave për amerikanët e klasës së mesme por se nuk do ta mbështesë shkurtimin e tyre për të pasurit. Ai tha gjithashtu se të dyja partitë janë të një mendimi lidhur me nevojën për uljen e shpenzimeve qeveritare.

Taksat dhe shpenzimet ishin tema kryesore në fushatën e republikanëve këtë vit. Në fjalimin e përjavshëm të republikanëve, senatori i ardhshëm i Floridës Marko Rubio tha se është kundër çdo marrëveshjeje që nuk ul taksat për të gjithë taksapaguesit.